Sekuestrimi i 272 kg kokainë në Selanik, pendohet doktori grek dhe zbërthen skemën e rrjetit të trafikut: U porosit nga shqiptari ‘J’
Policia greke ka sekuestruar 272 kg kokainë në një operacion të zhvilluar në 3 faza që nisi fillimisht me kapjen më 9 maj në Selanik të 105 kg kokainë që vinin nga Ekuadori. Gjatë këtyre operacioneve janë arrestuar shqiptarët Edmond Gjini dhe vëllezërit Remsi e Dritan Uka, 8 shtetas grekë si dhe 4 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që kokaina do të nisej drejt Shkupit. Gjatë operacionit të parë, mes te arrestuarve ishte edhe një doktor grek, 68 vjeç. Më 31 maj ai rezulton të jetë penduar dhe të ketë rrëfyer me deklaratë shtesë, detaje të reja lidhur me grupin kriminal qe fshihet pas trafikut të drogës nga Ekuadori. “Më datë 25.04.2023, i bashkakuzuari im E. G., (Edmond Gjini), pasi më njoftoi për këtë, më prezantoi me një shqiptar me emrin J. Ai më njoftoi se kishte nën menaxhimin e tij disa ngarkesa me banane dhe në njërën prej tyre, bashkëpunëtorët e tij, kishin vendosur një sasi kokaine.
Ai më pyeti nëse mund të gjeja një hapësirë, që të realizohej puna për të hequr sasitë e kokainës. Diskutimi u zhvillua në prani të E.G., i cili më siguroi se ne mund të ndërmarrim punën përkatëse. Shpërblimi do ishte 50.000 euro. I gjithë procesi i ngarkimit nga Ekuadori dhe i transportit nga porti i Selanikut në Maqedoninë e Veriut, kompanitë e përfshira dhe mënyra e zbatimit të dërgesës së kontejnerit, u krye nga shqiptari J., pa pasur asnjë dijeni dhe kontakt me dërguesit apo marrësit. Magazina që mendova të përdor i përkiste firmës së A. G, i cili ishte i palëvizur në shtëpinë e tij për shkak të problemeve ortopedike dhe magazina ishte bosh. Çelësa kishte bashkëpunëtori i tij X. D., i cili merrej me mirëmbajtjen e magazinës. I kërkova që ta vinte në dispozicion dhe ta ndihmonte E. G., sipas nevojës në punën e kërkuar për heqjen e sasisë së kokainës”, thekson në shkresën e tij, 68-vjeçari i pandehur, duke treguar se nuk e dinte saktësisht se ku ishin vendosur sasitë e drogës. Ngarkesa ka mbërritur mesditën e 8 majit në magazinë dhe droga e fshehur është nxjerrë nga kontejneri. “I kisha thënë që sapo të kishte mbaruar heqjen e sasive të kokainës t’i vendoste në thasë dhe t’ia dorëzonte M.P., me të cilin kisha rënë dakord që t’ia dorëzoja një personi që do ta priste jashtë hotelit “Filippeo”. Nga sa mësova më pas, organet e akuzës e arrestuan në Diavata. E njëjta gjë ka ndodhur në të njëjtën kohë në magazinë, në “Agios Athanasios”, ndërsa është arrestuar edhe djali im, në “Ano Evosmos”, thotë ai dhe tregon se as djali i tij, as kompania që jep me qira një pjesë të pasurisë së gruas së tij dhe as nusja e tij dhe vëllai i saj nuk kanë asnjë lidhje me gjithë këtë çështje. “Deklarata ime fillestare ishte rezultat i konfuzionit dhe frikës që mbizotëronte në mendjen time. Kur u qetësova disi, kuptova se duhet të them të vërtetën për marrëzinë dhe mendjelehtësinë e madhe që kisha bërë dhe të kërkoja mëshirën e Drejtësisë. Unë kurrë nuk kam marrë drogë më parë. Unë bëra një akt të vetëm budallallëku dhe joserioz dhe tërhoqa disa njerëz të thjeshtë në të. Jam i tronditur nga veprimi im i papranueshëm dhe vetëshkatërrues. Zoti më ndihmoftë. Shpresoj në mëshirën e Drejtësisë”-përfundon mjeku 68-vjeçar në pension.
Më 2 qershor 2023 u gjetën edhe 161 kilogramë të tjera të së njëjtës lëndë narkotike, që i atribuohen nga policia të njëjtit rrjet, ndërsa një javë më parë u gjetën të fshehura në një banesë 6 kilogramë të tjera kokainë dhe u arrestua nusja dhe djali i mjekut, i cili ishte liruar për ngarkesën e parë. Sipas informacioneve, i pandehuri thotë se të arrestuarit nuk e dinin ekzistimin e sasisë specifike pasi ajo ishte gjetur në një arkë të posaçme në të cilën kishte akses vetëm ai. Avokati i 68-vjeçarit, Thodoros Simopoulos, shprehet: “Unë u informova nga i akuzuari se ai i dërgoi një memorandum plotësues hetuesit të 4-të special në të cilin ai ndryshoi qëndrimin e tij fillestar negativ dhe pranoi përfshirjen në këtë rast, veçanërisht në lidhje me sasinë e sekuestruar prej 105 kg kokainë. Ai ka kërkuar që të thirret sërish për të kërkuar falje shtesë për këtë rast”.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–