DESHMIA/ Si e mashtroi italiani Sigurimin e Shtetit për t’i shitur sekretin e bombës atomike, Mehmet Shehu vendosi t’i jepte 8 mijë dollarë, por…
Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe disa krerëve të tjerë të ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit në gusht 1983, do të nxirrte në dritë edhe një tjetër aventurë të pakuptimtë. Në vitin 1961 krerët e Sigurimit joshen nga një shtetas italian për të blerë sekretin e bombës atomike. Skenari i italianit që ishte një mashtrues i klasit të lartë ishte krejt i ngjashëm me atë të përshkruar pak vite më parë në 1958 nga shkrimtari britanik Graham Green në romanin e tij “Njeriu ynë në Havanë”. Ndryshimi i vetëm ishte se personazhi i Green ishte i një niveli më të ulët pasi i shiti shërbimit britanik të dhëna false për një armë të re por të kategorisë së mesme ndërsa italiani mashtrues arrin tu shesë shqiptarëve sapunin për djathë, vetë sekretin e bombës atomike.
Aranit Çela: Tjetër çfarë kishe ti Llambi Peçini se atë e morëm vesh në pretendimin tënd që ti këto deponime i ke dhënë jo vullnetarisht…qartë hesapi.
Llambi Peçini: Tani kam për Kadriun prapë. Lidhur me një agjent që kishim neve, kjo ka ndodhur ose në 1960 ose në 61 nuk më kujtohet mirë viti. Unë i ktheva përsëri në zbulim pasi isha në Sekretariat. Edhe rezidenti ynë në Itali përgjegjës i zbulimit tonë ishte Dhimitër Gjoni dhe na informoj se kishte mundësi të merrte nëpërmjet agjentit “Rampa” një predhë anti-tanke të mbiquajti “Cobra” të telekomanduar. Por donte 2 mijë dollarë për këtë punë që t’ia blinte. Gjithashtu pak më vonë përsëri na informon përgjegjësi i zbulimit Dhimitër Gjoni nga Roma dhe thotë se agjenti “Rampa” ka mundësi të marrë sekretin e bombës atomike. Por kërkon 6 mijë dollarë sepse ka një mik të tijin që e ka në Qendrën Atomike të Francës dhe mund të marrë këtë por do 6 mijë dollarë dhe 2 mijë për “Cobrën” bëjnë 8 mijë dollarë. Tani ne e morëm këtë të dhënë dhe unë bisedoj me Zoin.
Studioj dosjen e agjentit “Rampa” dhe kërkoj të dhëna nga përgjegjësi ynë i zbulimit në Romë. Si qysh, nga e njeh këtë person? Ai na dërgoi dmth sikur ky agjenti “Rampa” i kish dhënë nr e telefonit në Paris të këtij shkencëtarit atomik, i kish dhënë adresën ku jetonte dhe kish lënë takim për këtë për një datë, nuk e di pas një muaji kish lënë takim me agjentin tonë me shkencëtarin, me mikun e tij dmth. Në këtë kohë unë i bëj një kërkesë rezidenturës sonë në Francë dhe i them që të verifikohet kush banon në këtë adresë, të verifikohet ky numër telefoni dhe na njoftoni sa më parë. Na bie përgjigje agjentura e Parisit që në filan adresë dmth ekzakt se i dhanë numër ekzakt e të gjitha ne banon filani dmth një tjetër për tjetër, jo ky që thoshte agjenti “Rampa” dhe numri i telefonit që na dhatë nuk ka të abonuar.
Francezët kishin një metodë që kush një numër nuk kish të abonuar kishte një pllakë regjistrimi që thoshte “ky numër nuk ka të abonuar” dhe këtë e përsëriste me qëllim që ai që telefononte të mos priste shumë. Ky numër nuk kishte të abonuar, ishte gënjeshtër. O dërguam dhe fotografinë të atij agjentit “Rampa” përgjegjësit të zbulimit të rezidenturës sonë në Francë që do takohej në “Cafe de la paix”, kafe e madhe në Paris në filan orë. Nuk vajti ai. Na përgjigjet, në filan orë, në filan ditë nuk erdhi filani, nuk erdhi një person i tillë. Në fotografinë që dërguam të re ashtu siç ishte në momentin e atëhershëm ai.
Domethënë 3 momente që ishin shumë të dyshimta, që ky na gënjente. Atëherë unë bëra shënim në dosje dhe them se ky agjent është provokator ose kërkon të na zhvasë sa më shumë, prandaj nuk jam dakord që ti jepen 8 mijë dollarë. i them Zoi Themelit që ky Dhimitër Gjoni nuk e ka drejtë. Atëherë ishte Drejtori i Zbulimit, Zv.drejtor ishte Rasim Dedja, prandaj ose të shkojë Rasimi atje, ose të shkoj unë, i thashë, ose më mirë të thërrasim Dhimitër Gjonin për arsye se atje nuk mund të bisedosh gjatë e gjerë me rezidentin se do ruhesh. E thirrën Dhimitër Gjonin.
Tani ky ishte problemi më i rëndësishëm për Drejtorinë e Zbulimit. Zoi Themeli kur erdhi Dhimitër Gjoni më tha mua bisedoje me Dhimitrin. Po thashë unë, ta bisedosh ti se ti je Drejtor i Zbulimit. Unë jam Kryetar i Degës thashë. Unë ndiqja rezidenturat jashtë. Jo, jo tha se unë kam punë. Çfarë do pune të kesh ti, nuk ka punë më të madhe sesa këtë Drejtoria e Zbulimit Politik- i thashë unë. Jo, jo tha shko takoje ti dhe nesër hajde më raporto. Vetëm kam ndenjur me Dhimitër Gjonin për ti mbushur mendjen se e kisha shok dhe për ti mbushur mendjen që nuk e ka mirë. Edhe më në fund edhe si kryetar dege e kisha në linjë atë. U bind Dhimitri më në fund dhe tha “po, ky është provokator”. Vemi të nesërmen i raportojmë Zoit.
Zoit duhet ti raportoja unë dhe unë po bëhesha gati të raportoja. Tha thuaj si është puna, i tha Dhimitrit. Dhimitri filloi të flasë. Çfarë do fliste Dhimitri? Foli po ato që na kish treguar neve. Lëri ato, hajt të shkojmë në ministri! Për te Kadriu. Mor po dale të ashtu.. Hajde, hajde të shkojmë. Vajtëm te Kadri Hazbiu dhe i raporto Zoi tani Kadriut për atë që na kishte informuar neve rezidentura e Italisë që përpara. Kadriu merr Mehmet Shehun në telefon dhe i thotë që kemi një problem dhe i kërkoi 8 mijë dollarë se nuk mund të jepte Zoi 8 mijë dollarë dhe Kadriu nuk mund të jepte 8 mijë dollarë dhe mori Mehmetin në telefon. Unë i thashë në këtë kohë.
Kadriu i thotë Mehmet Shehut të vijë një çikë pa i folur për arsyen. Hajdeni i tha ai. Unë i thashë Kadriut “more shoku ministër, po ka disa momente shumë të dyshimta këtu i thashë”. Po mirë tha sqarojini këto. Unë jam i mendimit të mos i jepen këto. Mirëpo meqenëse priste Mehmet Shehu ikën dhe më lanë mua. Unë u ngjita në zyrën time kur më vonë me vjen në zyrë Dhimitër Gjoni dhe më tha se ato u aprovuan 8 mijë dollarët. i thashë unë, tani po të them si shok, se si kryetar dege e bëra punën. Po e bëre këtë, i thashë, do fëlliqesh, do turpërohesh, mos i jep ato para. Mua më vinte inat edhe për 8 mijë dollarët se ishte një shumë e madhe po më vinte më shumë inat që po na e hidhte një maskara, po tallej me autoritetin e zbulimit tonë. Në fakt kështu doli. Ja dha paratë Dhimitër Gjoni, na dërgoi neve filma të filmuar sekretin e “bombës atomike”, ndërsa për atë predhën “Cobra” na dërgoi një reviztë të bukur, kështu…
***
Gjatë gjyqit kundër Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, Llambi Peçini, ish rezident i Sigurimit në Francë rrëfen me hollësi një tentativë fatmirësisht të parealizuar të një akti terrorist në Strasburg. Krerët shqiptarë të Ministrisë së Brendshme dhe sidomos këshilltarët sovjetikë të atashuar pranë kësaj ministrie ishin treguar tepër të zellshëm për të hedhur në erë sallën ku do të zhvillohej konferenca e radhës e ACEN (e vendeve të robëruara) ku aderonin kundërshtarë politikë, përfaqësues nga shtetet e lindjes komuniste.
Llambi Peçini: Kadri hazbiu tha se ai veprimi terroristik kundër Sadik Premtes u dënua si veprim terrorist nga udhëheqësi i partisë. Mirëpo unë dua ti them trupit gjykues që në vitin 1956 jam thirrur në Francë ku isha rezident në Francë- përgjegjës i zbulimit. Edhe më thirri Zoi Themeli në emër të Kadri Hazbiut. Vajta te Kadri Hazbiu. Atje ishte kryekëshilltari, se kush ishte kryekëshilltar atëherë në 1956 nuk më kujtohet emri. Por ishte një i madh, i gjatë, gjeneral me dorë të madhe. nuk e di si e quanin. Në 1956 bëhej mbledhja e Asamblesë së Kombeve të Robëruara, siç e quanin ata, vendet ish socialiste në atë periudhë. ACEN bëhej në Strasburg. Ne kishim një agjent që na informoi për këtë punë, na informoi edhe për rendin e ditës që do të kishte konferenca e ACEN. Edhe njoftuam neve lart, mbasi njoftova unë lart për këtë datën e mbledhjes së konferencës më thërret që të vij shpejt.
Kishte kohë, kishte dy muaj afat si ai kishte marrë më përpara agjenti jonë. Vij këtu dhe më thotë që është një mendim që ta hedhim në erë konferencën e ACEN. Kemi mundësi tha dmth ta bëjmë në Francë? I thashë kemi, kemi një agjent të mirë që jo vetëm njihet në Strasburg por njihet dhe me krerët e emigracioneve të tjerë të ACEN. Midis krerëve reaksionarë të tjerë që njihte ky ishte edhe Abaz Ermenji që njihej dhe me një Gemeto Dimitrov, që ishte një nga krerët e emigracionit bullgar reaksionar. Po mund ta bëjë, tha. Ta pyesim njëherë. Studioje dhe njëherë dosjen e agjentit se e ke këtu tha dhe hajde të më informosh nesër. Vajta e studiova dhe njëherë dosjen e agjentit.
Të nesërmen raportova para Kadri Hazbiut, kryekëshilltarit dhe Zoi Themelit, cili ishte ky agjent, nga ishte, nga s’ishte, si kish ardhur në Francë e të gjitha këto. Edhe i thashë që ka mundësi ta bëjë ky. Mirë tha, të shkosh. Mirë i thashë unë por duhet një eksploziv i fortë për këtë dhe unë nuk kam ku ta gjej i thashë. Do vijnë dy sovjetikë tha Kadriu ose kryekëshilltari nuk më kujtohet në ambasadën tonë në Paris dhe do të sjellin atë lëndën eksplozive, është një lëndë e fortë dhe e paketuar pak me volum të vogël dhe me efektivitet të madh dhe do ta japin. Por tha më parë duhet biseduar me agjentin. Atëherë unë i propozova vetë Kadri Hazbiut dhe Zoi Themelit dhe kryekëshilltarit që unë do t’ia propozoj atij, por do t’ia propozoj si mendim timin personal. Mirë tha kështu bëje, e pëlqyen këta që mos të dalë këtu që e interesuar është partia jonë.
Pra që e kam unë një mendim të tillë. Edhe kështu e bëra. U nisa për në Francë, mora kontakt me agjentin. I thashë si mendim tim personal këtë për të hedhur në erë konferencën e ACEN, ai ishte dakord. Por më tha me një kusht. Që të kthehem sa më parë me gruan dhe fëmijët në Shqipëri dmth e bëra tani këtë dhe ti kem gati pasaportat. i bëjmë i thashë unë, por megjithatë i thashë unë do të pyes qendrën dhe njëherë dhe pastaj të lajmëroj do të them duhet ta bëjmë apo jo se duhet të marrim dhe materialin eksplozitv. Më vonë erdhi telegram nga…u thashë këtyre i njoftova që agjenti është gati të bëjë por me këtë kusht. Atëherë këta më kthyen përgjigjen. Më tha që të lihet kjo.
Aranit Cela: Pse u la kjo?
Llambi Peçini: Nuk e di, nuk u interesova më.
ABC STORY
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–