Mon, Nov 25, 2024

EKSKLUZIVE/ Mjeku që nderoi Shqipërinë në karate, Karaqi: Ju tregoj suksesin në Lojërat Europiane

  • PublishedJune 27, 2023


EKSKLUZIVE/ Mjeku që nderoi Shqipërinë në karate, Karaqi: Ju tregoj suksesin në Lojërat Europiane

27 June, 2023

27 June, 2023

Alvin Karaqi është futur në histori si medalisti i parë i Shqipërisë në Lojërat Europiane, teksa disa ditë më parë u shpall kampion në kategorinë e peshave -84 kg në karate në aktivitetin që po mbahet në Poloni.

30-vjeçari tregoi një nivel fantastik përballë elitës së karatesë europiane, duke merituar medaljen e arit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Karaqi rrëfen emocionet e jashtëzakonshme të suksesit të arritur në tokën polake. I lindur në Kosovë dhe me profesion mjek, të cilin e ushtron në Zvicër, ai tregon karrierën e tij sportive dhe zgjedhjen për të përfaqësuar Shqipërinë.

Alvin, si ndiheni pas këtij suksesi? Si ndihem?
Për besë, nuk di çfarë të them, pasi akoma nuk e di nëse e kam kaluar euforinë. Të premten ishte ndeshja, të shtunën u ktheva dhe të dielën fillova punën në spital. Kështu që deri tani nuk kam pasur as kohë që t’u përgjigjem të gjithëve për urimet që kam marrë, apo të shikoj edhe videot e ndeshjeve që kam bërë. Por jam shumë i lumtur, edhe pse ende nuk jam ulur mirë për të reflektuar për garën. Por ndihem vërtetë shumë i lumtur.

E prisnit që do të fitonit medalje ari në Lojërat Europiane?
Në Lojërat Europiane për sa i përket karatesë është shumë i vështirë kualifikimi, sepse marrin pjesë vetëm 8 garues më të mirë të Europës. Për mua vetëm kualifikimi ishte një ëndërr e bërë realitet, pasi është edicioni i tretë i Lojërave Europiane dhe unë jam pjesëmarrës për të tretën herë në këtë aktivitet. Sigurisht që u nisa për medalje, por kur ndeshesh me më të mirët nuk i dihet kurrë nëse mund të fitosh apo jo të artën. Pra, mund të them që edhe e kam pritur, por edhe jo.

Si ishte të ngjiteshit në shkallën më të lartë të podiumit dhe të dëgjohej himni i Shqipërisë?
Në video shihet që lotët rridhnin. Është gëzimi i fitores, gëzimi i ngritjes së flamurit kombëtar dhe gëzimi që po dëgjohet himni në podiumin më të lartë të sportit europian. Në momentin që sapo kisha fituar finalen, më pyeste përfaqësuesja e mediave se si ndihesha, por i thashë nuk di, di vetëm që po lëshoj himnin e Shqipërisë.

Keni ndonjë dedikim për këtë medalje të artë?
Sigurisht, së pari këtë rezultat ia dedikoj familjes sime, që nuk e kanë humbur asnjëherë besimin tek unë. Pra, për prindërit, për motrën dhe për të fejuarën. Gjithashtu edhe për trajnerin tim, Fehmi Mahalla, të cilin do ta quaj çelësin e këtij suksesi. Cila ishte ndeshja më e vështirë në rrugëtimin drejt medaljes? Emocionalisht mund të them që ishte ndeshja e tretë, e fundit e fazës së grupeve, ajo ndaj kundërshtarit nga Greqia. Me fitoren e kësaj ndeshjeje unë sigurova zonën e medaljeve, në një kompeticion, ku përballesha me më të mirët e Europës. Ajo mendoj që ishte edhe ndeshja më e vështirë në aspektin psikologjik.

Ju më parë keni përfaqësuar edhe Kosovën. Si erdhi zgjedhja për të kaluar te Shqipëria?
Jam pajisur me pasaportën e Shqipërisë nga presidenti Bujar Nishani dhe fillimisht kam garuar për flamurin kuqezi. Më pas kur Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik Botëror, vendosëm me mirëkuptimin e federatës shqiptare që të garoja për Kosovën. Por më vonë, pas një mosmarrëveshjeje në Kosovë, vendosa që të kthehem te Shqipëria dhe ta përfundoj këtu karrierën. Mendoj që ka qenë vendimi më i mirë i karrierës sime.

Si e keni filluar karatenë? Çfarë ju ka tërhequr në këtë sport?
E kam nisur karatenë në moshën 7-vjeçare në Prishtinë, me klubin Ippon Prishtina. Dashuria për karatenë ka filluar duke parë filmat e Bruce Lee dhe Jackie Chan, që i ndiqnim të gjithë si fëmijë. Kam qenë edhe si fëmijë më hiperaktiv dhe prindërit më thanë vazhdo me karatenë, por nuk e kishin pritur që do të arrij këto nivele si sportist elitar.

Ju vjen keq që karateja nuk do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike “Paris 2024”?
Po, më vjen vërtetë shumë keq. Arsyeja kryesore pse karateja nuk do të jetë në “Paris 2024” si sport olimpik është vetëm politike dhe nuk ka të bëjë si vendim me sportin e karatesë. Pra, është çështje e brendshme politike ndërmjet Komitetit Olimpik Botëror dhe federatës së karatesë. Kjo është një fatkeqësi dhe shpresoj shumë që karateja të jetë pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Los Anxheles 2028”. Si është jeta jashtë sportit për Alvinin? Jashtë sportit, unë jam mjek i specializuar në kirurgjinë traumatologjike në Zvicër. Punoj me kohë të plotë në Zvicër, rreth 70 orë në javë mesatarisht, krahas dy seancave stërvitore në ditë që ia kushtoj karatesë. Me këtë ritëm nuk më mbetet shumë kohë (qesh), por më pas i përkushtohem familjes, të fejuarës dhe shoqërisë.

Cilat janë planet e së ardhmes apo objektivat në sport?
Tani objektivi i parë është që të reflektoj dhe të shijoj suksesin e medaljes së artë në Lojërat Europiane. Të shikoj se çfarë kam fituar, pasi ende nuk kam pasur kohë që ta nxjerr medaljen nga kutia. Më pas nuk e di se çfarë do të më presë për karrierën. Kur isha më i ri e kisha më të lehtë këtë pjesë, por tani si mjek është pak më e vështirë. Megjithatë, kjo medalje më jep më shumë shpresë për të ardhmen. Mendoj që gara e radhës, ku do të marr pjesë, do të jetë fillimisht Kampionati Ballkanik i karatesë që do të mbahet në Tiranë, kompeticion, në të cilin nuk do të mungoj.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

© AlbaniaWeb.net