Sun, Nov 24, 2024

Kuvendi nuk mban një minutë heshtje për gjenocidin grek në Çamëri, Mesila Doda: Akt i paprecedentë frike, qeveria të trimërohet dhe të bëjë detyrën

  • PublishedJune 27, 2023

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka kërkuar sot mbajtjen e 1 minutë heshtje në Kuvend për të përkujtuar ditën e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ka mbyllur seancën duke e bërë të pamundur kujtimin e më shumë se 30 mijë personave.

Sekretarja e përgjithshme e PDIU-së, Mesila Doda tha në një deklaratë për mediat se Kuvendi pati frikë ta përkujtonte këtë ditë.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për të kujtuar jetët e humbura të bashkëpatriotëve tanë, shqiptarëve të Çamërisë të cilët u shpërngulën më shumë se 30 mijë persona, humbën jetën më shumë se 6 mijë të tjerë gjatë shpërnguljes së tyre me dhunë, sot nuk patëm mundësi që siç është e zakonshme të mbanim 1 minutë heshtje në Parlamentin e Shqipërisë. Në seancën e radhës do të kërkojmë të mbajmë një minutë heshtje dhe kolegët e grupit parlamentar do të kenë mundësi të japin pikëpamjet e tyre, por sot meqenëse pati një akt të paprecedentë  të frikës për ta përkujtuar këtë ditë, do të kërkoj nga ekranet e mediave që të përkujtojmë kujtimin e këtyre viktimave”, tha Doda.

Sipas saj “ne të gjallët nuk duhet të harrojmë vuajtjet e tyre, por edhe detyrimet që na dalin nga kjo e kaluar dramatike e popullit tonë. Shpresoj shumë që qeveria shqiptare dhe klasa politike të trimërohen dhe të bëjnë detyrën e tyre në raport me Atdheun, Kombin dhe të kaluarën tonë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.