‘Lindja dhe vdekja e stisur’/ Histori e denjë për skenar filmi, si e mashtroi shtetin kuksiani me vajzën inekzistente për të marrë… 10 mijë lekë ndihmë
Një histori e padëgjuar ka ndodhur në Kukës, ku një 57-vjeçar, Xhevit Sopaj, ka falsifikuar 21 vjet më parë dokumente për të regjistruar si vajzën e tij identitetin e një fëmije që nuk ekzistonte, ndërsa në 2021 falsifikoi sërish dokumente për ta shpallur të vdekur.
Mësohet se ai arriti të fusë në trungun familjar një fëmijë të tretë, një vajzë që nuk ekzistonte, vetëm për të përfituar ndihmë më të lartë ekonomike.
Kjo ka ndodhur në vitin 2002, kur ndërkohë bashkëshortja e tij kishte sjellë në jetë 2 fëmijë në 1998-ën dhe në vitin 2000. Në vitin 2021, kur fëmija inekzistent mbushi 19 vjeç dhe shteti nuk ofronte më ndihmë, Xhevit Sopaj e shpalli të vdekur dhe e çregjistroi.
E gjithë kjo skemë mashtrimi ishte krijuar që kjo familje të përfitonte ndihmë më të lartë ekonomike nga shteti, sipas ligjit të kohës, pasi familja duhej të kishte 3 fëmijë. Kjo ndihmë ishte vetëm 10 mijë lekë të vjetra në muaj.
Në vitin 2021, kur supozohej se e bija mbushte 19-vjeçe, Sopaj e shpalli të vdekur, për të fshirë çdo gjurmë të saj nga certifikata familjare.
Policia bëri me dije sot se pas arrestimit të tij, në ‘sitën’ e hetimeve janë edhe një mjek që dyshohet për lëshimin e një certifikate lindjeje, të falsifikuar, si dhe administratori i një agjencie funerale, që dyshohet se mund të ketë bërë certifikatën false të vdekjes.
Aktualisht çifti ka katër fëmijë.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–