Të ardhurat nga puna jashtë vendit, rekord të ri në tremujorin e parë të vitit
Të ardhurat e shqiptarëve nga puna jashtë vendit shënuan sërish një vlerë rekord në tremujorin e parë të këtij viti.
Të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për kishin vlerën e 109 milionë eurove, në rritje me 15.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma neto, duke zbritur transfertat dalëse të shtetasve të huaj nga puna në Shqipëri, vlera neto e të ardhurave nga puna në ekonominë shqiptare arritën në 100 milionë euro, 11% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të një viti më parë. Si në terma bruto, ashtu edhe në terma neto, të ardhurat nga puna shënuan vlerën më të lartë historike për tremujorin e parë të vitit.
Sipas metodologjisë së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.
Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.
Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.
Për tremujorin e parë të vitit, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 214 milionë eurove, në rritje me 16.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Duke mbledhur remitancat dhe të ardhurat nga puna, kontributi i tyre total në Bilancin e Pagesave arriti në 314 milionë euro neto, në rritje me 14.6% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këto të ardhura përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm për të ngushtuar deficitin e jashtëm të ekonomisë shqiptare.
Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbuluan rreth 35% të deficitit tregtar në mallra, duke luajtur një rol të rëndësishëm në uljen e deficitit të llogarisë korente në vlerën më të ulët historike, së bashku me turizmin dhe fasonerinë.
Të ardhurat nga puna klasifikohen si të ardhura parësore në Bilancin e Pagesave. Ky segment përfshin edhe të ardhurat nga investimet, që në tremujorin e parë të vitit kishin vlerën e 41 milionë eurove, në rritje me 78% krahasuar me një vit më parë.
Por, në terma neto të ardhurat neto japin një kontribut negative, për shkak se të ardhurat e subjekteve të huaja nga investimet në Shqipëri janë shumë më të larta, me 220 milionë euro në tremujorin e parë të vitit. Për këtë arsye, historikisht zëri i të ardhurave parësore në Bilancin e Pagesave ka qenë negativ, megjithëse në vitet e fundit të ardhurat nga puna po e japin një kontribut në rritje për ngushtimin e këtij hendeku.
Në këto 30 vite, puna është faktori dominues ku po mbështeten aftësitë eksportuese të ekonomisë shqiptare.
Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë, një kontribut shumë të madh jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria). Të ardhurat nga fasoneria po vijojnë rritjen edhe për këtë vit. Për 3-mujorin, ato arritën në 196 milionë euro, në rritje me 24% krahasuar me një vit më parë./Monitor
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–