“Dua letra me ngjyrë, shih ke kasaforta”, dalin bisedat e Noizy-t me kushëririn: Kur qenke bërë kaq trim
Lokali në pronësi të familjes së reperit Noizy (Rigels Rajku) u përfshi dy herë nga flakët brenda muajit qershor. Së fundmi u zbulua se këto dy akte, përfshirë edhe një zjarrvënie në derën e banesës së nënës së reperit, kanë si autor kushëririn e Noizy-t, Eraldo Musteqja, i cili është arrestuar mëngjesin e sotëm nga policia e Durrësit në flagrancë pasi i kishte vënë sërish zjarrin lokalit.
Menjëherë pas arrestimit, përmes një postimi në Instagram, Noizy shkroi:
“Ky është Eraldo, i rritur nga familja ime që në fëmijëri. Eraldo ndërroi fe, u bë një besimtar ekstremist dhe kishte besime të forta se lokalet s’duhet të shesin alkool dhe se muzika është haram. Prandaj vendosi që të bëjë atë akt terrorist. Gjithsesi jeta vazhdon, unë dhe familja ime jemi të gjithë mirë. Uroj që Eraldo të bëhet më mirë dhe të kuptojë gabimin. Unë s’mund ta urrej sepse jam rritur me të, ia kam lënë në dorë Zotit dhe drejtësisë. Lokali është shumë mirë dhe përherë do të jetë mirë. Ziliqarë dhe keqbërës do të ketë përherë, por varet sa i fortë qëndron ti dhe se si e menaxhon situatën. Të dua vëlla i vogël”.
Në një postim të dytë në Instagram, Noizy sqaroi se “s’ka të bëjë cila fe” pasi personi në fjalë “është i sëmurë, ekstremist dhe ka nevojë për ndihmë.”
Burime të sigurta zbulojnë për Anabel se Eraldo, që është djali i dajës së Noizy-t, ishte konvertuar në një besim radikal me ide ekstremiste. Në rrjete sociale, ai prezantohej si Abdullah, në vend të emrit të tij. Po të njëjtat burime, thonë se prej kohësh ai kërcënonte familjarët e Noizy-t duke u kërkuar vazhdimisht para. Në bisedat në vijim – të shkruara midis autorit dhe njërit prej familjarëve dhe njerëzve më të besuar të Noizy-t – ai lë të nënkuptuar se dëshiron para prej tyre dhe kërcënon duke përmendur familjen dhe kasafortën.
Burimi në fjalë theksoi se familjarët janë tepër të shqetësuar nga fakti që nëpër disa portale jo të besueshme po përhapen teori aspak të vërteta për ngjarjen e rëndë, të cilat kanë si qëllim të dëmtojnë imazhin e reperit.
“Arsyeja e gjithë kësaj ngjajeje lidhet me dëshirën për të zhvatur para, e përzierë me ide ekstremiste. Nuk ekziston asnjë arsye tjetër në mes,” tha burimi.