Mon, Nov 25, 2024

Rama, mediator i Ballkanit apo fasadë?/ Shehi për situatën në Kosovë: Po luan rolin e ndërkombëtarit. Po kthehemi në një cirk

  • PublishedJune 29, 2023

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Open” në News24 foli për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rolin e luajtur nga kryeministri Edi Rama.

Duke i bërë një analizë gjithë ngjarjeve, Shehi u shpreh se gabimi i parë u bë nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe u pasua nga Edi Rama, i cili ka marrë rolin e ndërkombëtarit.

“Unë do e nisja nga Kosova. Duhet të diskutojmë se si ta zgjedhim këtë problem, se çfarë roli ka Rama kjo është një temë tjetër. Nëse flasim për Kosovën doja të bëja një historik. Ne arritëm këtu pasi Kurti bëri një sërë gabimesh, hyri në një betejë që ishte e humbur në princip. Shkoi bëri zgjedhje që nuk i pranojmë as ne këtu. Solli një situatë të padëshiruar dhe me diplomaci mund të ishte evituar. Nga këtu e mbrapa nuk është më gabimi i Kurtit, pasi filluan trazirat në Veri. Te pjesa tjetër fillon problemi i Ramës. Rama e ka defaktorizuar faktorin shqiptar në Ballkan, që është më i madh se Shqipëria. Për aq kohë sa nuk ka një linjë mes shqiptarëve këtu dhe atyre në Kosovë, ky faktor dobësohet. Rama duhet t’i dilte në krah Kurtit”, tha Shehi.

Sipas tij, tani Rama ka marrë rolin e ndërkombëtarit, gjë që ne nuk jemi.

“Ne jemi pjesë e këtij problemi, ndërsa Rama po operon si një ndërkombëtar. Ky nuk është palë e tretë që të ruajë negociatat, por duhet të ishte palë me Kosovën.
Parlamenti shqiptar duhet të prodhonte në linjë politike edhe për Kosovën. Kjo është politika kombëtare e Shqipërisë, Rama këtë pozicion duhet të zbatonte. Tani ka gabuar Rama, dhe kjo bën protagonist atë, por jo Shqipërinë. Pasi më e dobët është Kurti, Kosova dhe vetë Shqipëria dhe Rama. Tani i thonë se është agjent i Serbisë dhe Vuçiç, por unë nuk e besoj këtë version. Që t’i kthehemi një politike më të qetë të bëjmë një dokument të përbashkët dhe një lloj guide që dhe Rama s’mund të devijojë. Nëse politika ndërkombëtare tregon se sa sharme ke, Evropa ka parë sharme më të mëdhenj se Rama. Po kalojmë në një cirk, ku çdo cirk ka çdo kloun, akrobat dhe nga ata që i bëjnë me të qeshur popullin. Shqipëria është dobësuar nga gabimi i Kurtit dhe Ramës dhe duhet të dalim nga kjo situatë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.