Mon, Nov 25, 2024

Tenderat për dezinsektimin e zonave bregdetare shqiptare dështojnë, pushuesit në “luftë” me mushkonjat

  • PublishedJune 29, 2023

Prania e shtuar e mushkonjave është bezdisëse për Lekë Markun, sipërmarrës në plazhin e Velipojës. Pronar i një hoteli dhe restoranti në plazh, ai ankohet se në Velipojë nuk është kryer prej vitesh dezinsektimi, duke e shtuar popullatën e mushkonjave.

“Turistët e kanë problem praninë e mushkonjave, pasi u krijon bezdisje, e kështu në një mënyrë apo tjetër kjo dëmton turizmin,” thotë Marku, ndërsa shton se ai vetë është përpjekur të kryejë dezinsektim brenda biznesit të tij, por kjo nuk ka ndikim në zonën përreth.

“Sivjet do të jetë problem serioz, sepse institucionet nuk kanë bërë as inspektimin e zonës fillimisht,” thotë ai.

Mushkonjat janë insektet që shqetësojnë më shumë njerëzit gjatë sezonit veror, por sipas Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, i cili duhet të kryejë edhe procesin e dizisektimit të tyre, ato janë edhe të rrezikshme.

“Mushkonjat kur pickojnë, injektojnë pak nga lëngu i gjendrave të pështymës në plagën që hapin. Disa prej tyre janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektuese dhe të transmetojnë kështu sëmundje të ndryshme si malarien, ethet e Nilit Perëndimor Chikungunjen, ethet e verdha, ethet dengue, filariozen,” shkruhet në një dokument të vitit 2015 të ISHP-së ku trumbetohej lufta ndaj insekteve.

Por pavarësisht rrezikut, ISHP dhe Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, ASHPP, kanë dështuar prej dy vitesh që të përmbyllin një tender për kryerjen e procesit të dezinsektimit.

Kjo ka sjellë shqetësime qoftë për bizneset, qoftë për bashkitë që kanë në menaxhim vija bregdetare.

“Prania e mushkonjave dhe insekteve patjetër që e dëmton turizmin,” i tha BIRN në një përgjigje zyrtare Bashkia e Fierit, që shpjegoi se ajo vetë nuk kishte tagrin të ndërhynte.

Peripecitë e prokurimeve

Në vitin 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama u shpalli luftë mushkonjave dhe premtoi një proces dezinsektimi – që sipas Ramës do të kryhej për herë të parë pas 23 vitesh. Por procesi nuk shkoi fjollë.

Tenderat e zhvilluar në vitin 2019 u ankimuan dhe pas denoncimit të njërës prej kompanive pjesëmarrëse, po hetohen nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera”.

“Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedimin penal Nr.222 datë 12.08.2021, për veprën penale të parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimit,” tha SPAK në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi.

Mediat kanë raportuar edhe për thirrjen në prokurori të zyrtarëve të ISHP-së – institucionit që ka marrë përsipër t’i kryejë tenderat. Përplasjet për këto tendera mes një grupi të vogël operatorësh ekonomikë kanë qenë të pranishme thuajse sa herë ka pasur gara.

Dokumentet e bëra publike në faqen openprocurement.al, tregojnë se një situatë e ngjashme u përsërit edhe në vitin 2022. Nga 7 kompani që u përfshin në garë në 4 tenderat me vlerë totale prej 79.2 milion lekësh, gjashtë u ankuan për procedurat. Në të katër garat e hapura, pati të paktën dy ankues të ndryshëm. Kjo duket se solli edhe anulimin e garave.

Ndërkohë, tenderat e këtij viti janë ende në zhvillim e sipër, edhe pse procesi duhej të ishte mbyllura para fillimit të sezonit turistik. Këtë vit, shuma e vënë në dispozicion për shërbimin në total është 120.2 milionë lekë, ndërsa gara është ndarë në 6 lote për 6 qarqet kryesore: Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë.

Njëlloj si në tenderat e zhvilluar më herët, edhe këtë herë ka pasur ankime. Siç del nga dokumentet publike për të 6 tenderat, ka një ankim të kompanisë NRG Shpk mbi specifikimet teknike, i cili është pranuar pjesërisht nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP.

Në garën e vijuar pas vendimit të KPP-së janë shpallur publikisht deri më 23 qershor, fitues për dy lotet e Tiranës dhe Vlorës. Por edhe në këtë rast, koha kur do të ndodhë dezinsektimi është ende e paqartë.

Administratorët e kompanive fituese i thanë BIRN se ishin të pasigurtë se kur mund të fillohej puna dhe se procedurat ishin vonuar.

“Jemi fitues, por presim ankimimin. Ne jemi gati, por procedurat janë të tilla,” tha Albert Metani, përfaqësues i Metani Shpk, që ka fituar garën në tenderin për dezinsektimin në qarkun e Tiranës, ku dy operatorët e tjerë u skualifikuan.

Të njëjtën gjë tha në një bisedë telefonike edhe Fatos Lashi, përfaqësues i Egian Med Shpk, që fitoi tenderin për bregdetin e Vlorës. Lashi i tha BIRN se ende kishte kohë për të kryer procedurën, por pranoi se ajo do duhej të ishte kryer që në pranverë.

“Përsa kohë temperaturat janë mbi 15 gradë celcius ka kohë, por duhej të ishte kryer më parë,” tha Lashi, ndërsa shtoi se ai nuk mund të fliste mbi vonesat procedurale. “Në rastin më të mirë fillojmë në 15 korrik,” shtoi ai.

Një përfaqësuese e kompanisë NRG Shpk, e cila ka ankimuar të 6 procedurat, nuk pranoi të komentonte.

Instituti i Shëndetit Publik ishte lakonik në përgjigjet që i dha BIRN në lidhje me tenderat dhe procedurat si dhe për fazën ku ndodhej procesi. ISHP këmbënguli në përgjigje se ata kishin përpiluar vetëm specifikimet teknike për shërbimin.

“Instituti i Shëndetit Publik ka hartuar specifikimet teknike lidhur me shërbimin e dezinsektimit të zonave bregdetare dhe urbane dhe ka kryer monitorimin entomologjik të tyre,” thuhet në përgjigje.

Bashkitë pa informacion

Vida Hyseni është 78 vjeç dhe prej vitesh ka një shtëpi pushimi në Golem, por ankohet se gati e ka të pamundur që ta vizitojë, pasi nuk mund të flejë gjumë nga mushkonjat.

“Janë një tmerr i vërtet, gjithë natën rrimë zgjuar duke luftuar me mushkonjat,” thotë e moshuara.

Bizneset e hotelerisë dhe ato të shërbimeve turistike, thonë se nuk kanë asnjë informacion nëse janë kryer apo jo dizinsektime – por ankohen gjithashtu për praninë e mushkonjave.

Blerim Norja, menaxher i një hoteli në zonën e Durrësit tha për BIRN se dezinsektimin e ka kryer personalisht në zonën e biznesit të tij, por nuk është informuar për fatin e procesit që kryhet nga institucionet publike. “Nuk e di në qoftë se është bërë dezinsektimi i plazhit, unë si çdo vit e kam kryer vetë në mënyrë private në biznesin tonë,” tha ai.

Edhe institucionet lokale nuk kanë më shumë informacion. Bashkitë e Vlorës dhe Fierit që iu përgjigjën kërkesave për informacion nga BIRN thanë se ato nuk kishin dijeni mbi fatin e procesit.

“Dezifektimi i bregdetit nuk është bërë për këtë vit. Arsyen pse nuk është bërë duhet të kërkoni informacion nga Ministria përkatëse,” shkroi bashkia e Fierit, duke qartësuar më tej se nuk ishte në kompetencat e saj të merrej me këtë punë.

Njëlloj edhe bashkia e Vlorës thotë në përgjigje se nuk ka informacion. Bashkia thotë se ajo bën vetë dizisketim në institucionet në varësi të saj dhe parqet, por nuk ka tagër mbi zonat më të gjëra si plazhet.

Ndërkohë bashkia e Durrësit pretendon se i ka dhënë vetë zgjidhje situatës, edhe pse nuk është e qartë mbi çfarë tagrash ka vepruar dhe si.

“Një nga faktorët disfavorizues të sezonit turistik veror, është prania e mushkonjave dhe insekteve të tjera në vijën bregdetare. Prandaj ne si Njësi e Vetëqeverisjes Vendore kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për një sezon turistik veror sa më të pastër,” tha bashkia e Durrësit në një përgjigje me shkrim.

Fatos Lashi, përfaqësues i kompanisë “Egian Med” Shpk, i tha BIRN se nëse tenderat nuk do të kontestohen në vijim dhe procedurat administrative mbyllen, procesi i dizinsktimit mund të vijojë normalisht edhe gjatë sezonit.

Lashi shtoi gjithashtu se ishte lajm i mirë që kontratat ishin dyvjeçare, pasi veç pjesës së mbetur të këtij sezoni, do të mbulohen edhe vitet 2024 dhe 2025.

/BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.