Mon, Nov 25, 2024

Qëndrimi i Ramës për Kosovën/ Murati: Projekti për Asociacionin, i papranueshëm. Kurti dhe Vuçiç ia kanë refuzuar

  • PublishedJune 30, 2023

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati, i ftuar në studion e emisionit “Open” në Neës24 ka folur në lidhje me situatën në Kosovë në kuadër të tensioneve të me Beogradin, si edhe qëndrimin e Shqipërisë në këtë çështje.

Murati u shpreh se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka gabuar me disa veprime, duke rrezikuar edhe një valë sanksionesh nga Perëndimi.

Sa i përket qasjes së Shqipërisë, ai tha se projekti i kryeministrit Rama për Asociacionin në Kosovë është refuzuar si nga Albin Kurti, ashtu edhe nga Presidenti serb Vuçiç.

Sipas tij ky veprim i Ramës ka qenë i papranueshëm për shkak se nuk është konsultuar fillimisht me Prishtinën zyrtare për hartimin dhe përmbajtjen e projektit.

“Kosova është një shtet i pavarur dhe kjo është brenda konventave ndërkombëtare. Veprimtaria e Kurtit ka qenë e gabuar teksa ka pasur paralajmërime të vazhdueshme nga BE për sanksione ndaj Kosovës duke e prekur vendin financiarisht dhe pezullim të marrëdhënieve me ndërkombëtarët.

Vendimi i Kurtit për të çuar 3 kryekomunarët e zgjedhjeve për t’u betuar pa lajmëruar ambasadat mike ka qenë e gabuar. Ai duhet që minimalisht të largonte kryetarët dhe të shpallte zgjedhje të parakohshme. Rama ka dy qëndrime kryesore për Kosovën. Ka paraqitur një projekt ndërkombëtar dhe flet për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën. Është e papranueshme që ai nuk është konsultuar për projektin me Prishtinën, projekt që e ka rrëzuar edhe Vuçiç”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.