Festivali Folklorik Kombëtar ‘ndez’ atmosferën në Gjirokastër, pjesë e aktivitetit rreth 30 grupe, prezantohen larmi këngësh e vallesh
Një atmosferë magjike ka shoqëruar natën e shtatë të Festivalit Folklorik Kombëtar në Gjirokastër.
Interpretimi i grupit të Qarkut Gjirokastër mbushi plot e përplot çdo cep, të kalasë shekullore.
Lumi i njerëzve ishte i paimagjinueshëm duke i dhënë këtij festivali atmosferën e duhur plot energji pozitive. Në skenën e thurur me fijet e qilimat të traditës u ngjitën të rinjtë e grupit Rozafati nga SHBA që emocionuan publikun me interpretimet me motive patriotike, për t’u ndjekur nga Arbëreshët e Italisë që risollën disa nga ritmet më të bukura e më të njohura arbëreshe, veshur me kostumet shekullore trashëguar ndër breza.
30 grupe folklorike nga i gjithë Qarku Gjirokastër u prezantuan në festival me larmi motivesh, kostumesh, këngësh e vallesh. Djemtë e fshatit “Asim Zeneli” ishin më të vegjlit e grupit. Ata u prezantuan me një valle të kënduar. Prania e të rinjve ishte ajo që ra në sy gjatë kësaj mbrëmjeje.
Mihal Kaçi i grupit “Nektari i polifonisë”, i përbërë nga të rinj gjirokastritë që jetojnë larg qytetit të lindjes, tregon se ruajtja e përcjellja e traditës është e rëndësishme për vazhdimësinë e vlerave të folklorit.
Festa që mbushi plot e përplot Pazarin e Gjirokastrës dhe sheshin e Çerçizit si kurrë më parë u elektrizua nga interpretimi i Eneda Tarifës deri pas mesnate.
Ndërsa dita e parë e muajit korrik do të përmbyllë edhe Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke sjellë në skenë orkestrën italiane Renzo Arbore, ansamblin “Shota” të Kosovës, pjesë të përzgjedhura nga festivali, ndërsa mbrëmja do të vazhdojë në sheshin e Çerçizit me Marsela Çibukaj, dhe Flamur Cana & band.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–