“Furnizonte” lokalet e plazhit në Golem me kokainë dhe ekstazi, pranga të riut (EMRI)
Një i ri ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se shiste doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, kanabis dhe ekstazi, në lokale në plazhin e Golemit.
Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Hundreds 3″, pas hekurave ra shtetasi Marsel Rusi, banues në Korçë.
NJOFTIMI I POLICISE
Shiste doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, cannabis sativa dhe ekstazi, në lokale në plazhin e Golemit, vihet në pranga 18-vjeçari.
Sekuestrohen sasi të këtyre lëndëve narkotike, të ndara në doza të gatshme për shitje, si dhe një shumë dollarësh e përfituar nga shitja e tyre.
Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë së Durrësit, në zonën bregdetare në juridiksionin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Hundreds 3”.
Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me ata të Komisariatit të Policisë Kavajë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. R., 18 vjeç, banues në Korçë.
18-vjeçari dyshohet se shiste doza dhe tableta të lëndëve narkotike kokainë, cannabis sativa dhe ekstazi, në lokale të ndryshme, në plazhin e Golemit. Gjatë kontrolleve, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve narkotike kokainë, cannabis sativa dhe ekstazi, të ndara në doza të gatshme për shitje, dhe një shumë dollarësh e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–