Gara për kryetarin e PD-së, Basha takim me demokratët e Korçës: Listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese mund të çlirojnë potencialin e vendit
Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me demokratët e Korçës.
Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se vetëm listat e hapura dhe ndryshimet kushtetuese, mund të çlirojnë potencialin e vendit. Sakaq tha se detyra e Partisë Demokratike është të bëhet gati sa më shpejt për ndryshimin e madh që duan shqiptarët.
“Detyra e Partisë Demokratike është të bëhet sa më shpejt gati për ndryshimin e madh që duan shqiptarët. Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, që besojnë te demokracia dhe një partneritet i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe.
Të lirë nga hijet e së shkuarës, kemi përgjegjësinë të japim një model te ri në politikbërjen e vendit. Me Aleancën Qytetare për Demokraci do çlirojmë ekonominë dhe do të çojmë përpara ndryshimet kushtetuese, që do të zhbëjnë marrëveshjen e 2008-ës, dhe do të mundësojmë listat e hapura, vetting-un e politikanëve, votën e emigrantëve, kufizimin e mandateteve.
Ne duhet të rrisim mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë, pavarësisht kush e drejton atë. Për këtë arsye duhet të realizojmë ndryshimin e formulimit të Mocionit të besimit dhe atë të mosbesimit. Duhet të kërkojmë që numri i ministrive dhe rritja e Borxhit Publik të bëhen me ligj nga Parlamenti. Ne duhet të heqim kontrollin politik të qeverisë nga punonjësit e administratës, duke u dhënë atyre siguri në punë. Gjithashtu, zgjedhja e drejpërdrejt e Presidentit nga populli si mbartës dhe balancues i tre pushteve, garantues i mbarëvajtjes së jetës politike dhe i zgjidhjes së krizave, deri në të drejtën për të shpërndarë parlamentin.
Projekti ynë politik, pjesë e së cilës është dhe Platforma e ndryshimeve të sistemit elektoral, është reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një model të ri politik. Bashkë kemi mundësinëta ndryshojmë këtë realitet dhe të çlirojmë potencialin e jashtëzakoshëm që ka Shqipëria!”, u shpreh Basha.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–