Mon, Nov 25, 2024

“Në Bashkinë e Kuçovës ka ndodhur masakër elektorale”, Braimllari: Thirrje SPAK të veprojë dhe të hetojë veprimtarinë e Kreshnik Hajdarit

  • PublishedJuly 1, 2023

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari i bëri apel sot SPAK të hetojë veprimtarinë e kreut të Bashkisë së Kuçovës Kreshnik Hajdari.

Braimllari tha se në Bashkinë e Kuçovës ka ndodhur një masakër e vërtetë elektorale, e cila ka filluar para ditës së zgjedhjeve, ekzekutuar në 14 maj me një ndërhyrje të shtetit, grupeve kriminale, oligarkëve pranë qeverisë dhe është zbatuar në mënyrë perfekte ky plan dhe nga KAS.

Sipas tij, në 1254 raste ka pasur votim në grup dhe qytetarë që kanë votuar nga dy herë; në kutitë e 18 qendrave të votimit, mungojnë procesverbalet origjinale dhe nuk ekziston procesverbali i dorëzimit të materialeve zgjedhore; në 7 qendra votimi nuk kanë qenë në funksion kamerat e sigurisë që shërbejnë për verifikimin e procesit dhe në 2 raste ka rezultuar se është përdorur skema e ‘Trenit Bullgar’.

Braimllari theksoi se dhe pas të gjitha këtyre denoncimeve të bëra publike nuk ka asnjë reagim të prokurorisë apo institucioneve të tjera të cilat me vetëdije të plotë lejuan krimin zgjedhor në Kuçovë.

DEKLARATA E PLOTË
Të nderuar qytetarë jemi në këtë komunikim për të denoncuar për të disatën herë krimin e tmerrshëm shtetëror dhe elektoral të konsumuar në zgjedhjet vendore të 14 majit në Bashkinë e Kuçovës.

Siç është bërë publike nga kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Lefter Maliqi në Bashkinë e Kuçovës ka ndodhur një masakër e vërtetë elektorale, e cila ka filluar para ditës së zgjedhjeve, ekzekutuar në 14 maj me një ndërhyrje të shtetit, grupeve kriminale, oligarkëve pranë qeverisë dhe është zbatuar në mënyrë perfekte ky plan dhe nga KAS.

– Nga verifikimi i kamerave rezulton se në 1254 raste ka pasur votim në grup dhe qytetarë që kanë votuar nga dy herë.
– Në kutitë e 18 qendrave të votimit, mungojnë procesverbalet origjinale dhe nuk ekziston procesverbali i dorëzimit të materialeve zgjedhore.

– Në 7 qendra votimi nuk kanë qenë në funksion kamerat e sigurisë që shërbejnë për verifikimin e procesit.
– Në 2 raste ka rezultuar se është përdorur skema e ‘Trenit Bullgar’.

Kandidati Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar dhe në emër të Koalicionit “Bashkë Fitojmë” i jemi drejtuar Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në datë 04.04.2023, mbi verifikimin e pastërtisë së figurës së shtetasit Kreshnik Hajdari që në këtë rast është kryetari në detyrë dhe Kandidati i Bashkisë Kuçovë për kryetar bashkie në radhët e Rilindjes, i cili në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur deklarimin e dënimit penal në shtetin grek, fakt ky që “sjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi, zgjedhja, emërimi apo nga funksioni publik”.

Dhe pas të gjitha këtyre denoncimeve të bëra publike nuk ka asnjë reagim të prokurorisë apo institucioneve të tjera të cilat me vetëdije të plotë lejuan krimin zgjedhor në Kuçovë.

I bëjmë thirrje SPAK dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të veprojnë dhe të hetojnë veprimtarinë e Kreshnik Hajdarit dhe krimin zgjedhor në Bashkinë e Kuçovës, pasi nëse do të ishte vepruar në kohë sot nuk do të kishim konsumim të këtij krimi zgjedhor në Kuçovë dhe dukshëm rezultati do të ishte në favor të kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Lefter Maliqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.