Iu plagosën dy fëmijët dhe iu vra kunati, Gentjan Bejtja kërkoi azil në Norvegji dhe Suedi, por iu mohua
Gentjan Bejtja dyshohet se ishte shënjestra e atentatit të mesnatës së kaluar në fshatin Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë kunati i tij 29-vjeçar Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e tij të mitur 8 dhe 13 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë për jetën.
Bejtja është një person i njohur për policinë dhe emri i tij ka dalë në disa ngjarje të mëparshme kriminale, teksa i kishte shpëtuar dy atentateve më herët në vite.
Sipas burimeve, dyshohet se dy ditë më parë Bejtja ka qenë në shtëpi dhe se mund të ketë qenë në automjet me kunatin e tij mbrëmjen e djeshme, por ka zbritur më parë. Po kështu mësohet se autorët mund të kenë pasur dijeni për lëvizjet e tij prej ditësh.
Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se nisur nga problemet në Shqipëri, Bejtja kishte kërkuar më parë azil në Norvegji fillimisht e më pas në Suedi, por këto kërkesa nuk i janë pranuar.
Kujtojmë se dhe një viktimë e krimit në Shqipëri Mario Majollari, i cili u vra më 11 prill 2018 në Tiranë, kishte kërkuar azil në Suedi, por i ishte mohuar. Madje mediat suedeze i kushtuan disa lajme kësaj ngjarjeje dhe faktit që 28-vjeçarit, i cili ishte kërcënuar me vdekje për shkak të hakmarrjes për një krim që kishte bërë babai i tij nuk mundi të shpëtonte duke u strehuar në këtë vend.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–