Mon, Nov 25, 2024

“Rreziku i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme pa rishikuar sistemin zgjedhor”, Genc Burimi: Po sikur Ramës t’i “shkrepej” të shpallte zgjedhje të parakohshme siç veproi  Micotaqis në Greqi?

  • PublishedJuly 4, 2023

Ky nuk është vetëm një supozim por dhe një skenar fare i mundshëm. Cili do të ishte avantazhi? Me zgjedhje të parakohshme Edi Rama mund të ketë në xhep një fitore të garantuar edhe për katër vjet të tjera falë të së njëjtës formule që i siguroi fitore të paktën në dy votimet e fundit, prill 2021 dhe  maj 2023. Kjo është formula e parregullsive që ripërsëriten dhe denoncohen jo vetëm nga opozita por dhe nga ndërkombëtarët siç janë shitblerja e votës, presioni mbi administratën publike dhe përdorimi i aseteve publike në shërbim të partisë në pushtet. Ndonëse të pranuara “botërisht” se këto fenomene jo vetëm ekzistojnë në zgjedhjet në Shqipëri por dhe kanë ngulur rrënjë, askush deri më sot nuk ia kthyer në detyrim Kryeministrit shqiptar t’i adresojë ato.

Kur sistemi aktual lejon që ankimimet ndaj procesit elektoral të trajtohen nga një “gjykate” e dominuar nga mazhoranca siç është “KAS” atëherë pse të mos përfitosh të kryesh sa më shumë zgjedhje me këtë sistem “fantastik”? Kur sistemi aktual lejon po ashtu të mbash larg kutive të votimeve me qindra e mijëra votues nga diaspora sepse teknikisht asgjë nuk po kryhet që votimi i tyre të jetë efektiv më 2025, dhe kur interesi i maxhorancës është që sa më pak njerëz të shkojnë të votojnë siç u pa në një numër deklaratash të përfaqësuesve të mazhorancës në zgjedhjet e fundit vendore, atëherë tundimi mund të jetë i fortë për këtë kryeministër të mbajë zgjedhje të parakohshme duke mos i lënë kështu kohë përgatitjes së votimit për diasporën.

Si dilet nga kurthi i zgjedhjeve të mundshme të parakohshme?

Opozita është e përpirë sot totalisht në denoncimin e krimeve elektorale të zgjedhjeve që sapo përfunduan, duke neglizhuar me naivitet presionin e gjithanshëm që duhet të nisë për një reformë të re dhe urgjente zgjedhore. Sa leverdi ka të dënosh krimet elektorale që ndodhen ditën me diell pa i prerë një orë e më parë rrugën asaj që mund të rindodhë sërish.

Urgjenca për opozitën është në këtë moment e trefishte:

Të kërkohet ngritja sa me shpejt e një komisioni “shume-partizan” për një reformë të re zgjedhore që do të paraqesë zgjidhje për secilin nga kurthet ku opozita pretendon se ka rënë në dy zgjedhjet e fundit. Karakteri  “shume-partizan” i këtij komisioni ka një vlerë semantike kapitale në kushtet kur Rama do të tentojë ta kufizojë pjesëmarrjen e PD-së në negociata vetëm tek personi i Lulzim Bashës si fitues i ardhshëm i pritshëm te gara e PD-se së vulës. Me 500 mijë votat e marra nga Berisha në zgjedhjet e fundit në bashkëpunim me Partinë e Lirisë së Ilir Metës, Opozitari nr 1 i Edi Ramës sot ka gjithë forcën morale, politike dhe legale për të kërkuar të mbrojë interesat e votuesve të tij në negociatat që duhet të hapen për një reformë të re zgjedhore. Pa filluar “pushimet e verës” duhet medoemos që Berisha ta shtojë presionin tek faktori ndërkombëtar që qeveria të pranojë të shpallë një datë për mbledhjen e komisionit për reformën zgjedhore pa kufizime se kush nga opozita duhet te marrë pjesë në të. Koha nuk pret. Sa më shpejt të mblidhet ky komision aq më shpejt do të fillojë puna teknikisht e domosdoshme për votën e diasporës, me pyetjet kush do t’i hartojë listat e zgjedhësve në diasporë, ku dhe si do të votojnë ata, kush do  t’i numërojë votat e emigrantëve jashtë? Opozita ka interes me këtë rast të krijojë seksione te saja në vendet ku do të ketë votues nga diaspora.

Opozita të propozojë pa humbur më shumë kohë ndryshimin kryesor që ajo e gjykon të domosdoshëm në reformën në drejtësi e cila sipas saj ka dështuar. Janë të panumërta kritikat e opozitës ndaj sistemit të drejtësisë i dale nga reforma e 2016. Ka ardhur tani koha e propozimeve konkrete siç mund te ishte për shembull vettingu mbi bazën e performancës. A meritojnë për shembull te vazhdojnë te punojnë për drejtësinë ata prokurore qe varrosen  hetimet mbi korrupsionin e mundshëm te ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetajt ne dosjen e inceneratorëve? Opinioni publik prek kohesh po shfaq shenja pakënaqësie se kjo drejtësia e re nuk po ju sjell ndonjë gjë te re ne luftën kundra krimit dhe korrupsionit ne nivelet me te larta politike, por njëkohësisht nuk duhet neglizhuar padurimi qe mund te ketë opinion publik ndaj alternatives qe duhet te shpalle opozita për reformimin me masa konkrete te sistemit aktual te drejtësisë.

Ne me pas se dy vjet nga zgjedhjet e ardhshme legjislative pa marre parasysh skenarin e zgjedhjeve te parakohshme,  ende nuk po asistojmë ne një doktrinë programore te Opozitës. Opinionit publik deri me tani i janë servirur me shume manovrat se si një grup ne PD do te triumfoje mbi rivalet e grupit tjetër, por asgjë nuk i është servirur qytetareve për sa i përket  programit me masa konkrete qe jeta e tyre te ndryshoje dhe emigracioni ne mase te përfundojë.

Nëse këto tre hapa konkrete nuk hidhen sa me shpejt nga opozita reale, zgjedhjet e parakohshme qe mund te shpalleshin nga Rama pa pritur e pa kuptuar,  do t’i sillnin atij një avantazh te konsiderueshëm politik. Rifutja ne gare para kohe do ta kapte kështu opozitën totalisht te papërgatitur, me një sistem zgjedhor te pa reformuar, me një sistem drejtësie te politizuar ne shërbim te mazhorancës, dhe pa një alternative konkrete sociale dhe ekonomike për ata shqiptare të zhgënjyer nga tre mandatet e Edi Ramës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.