Mon, Nov 25, 2024

Atentati në Fushë-Krujë, gazetari zbulon dinamikën e ngjarjes: Autorët gjuajtën nga dy pozicione, në mjet me viktimën ishte edhe…

  • PublishedJuly 5, 2023

Gazetari Armand Bajrami, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24  ka folur në lidhje me atentatin që ndodhi në Fushë-Krujë mbrëmjen e djeshme, duke zbuluar dinamikën e gjithë ngjarjes.

Bajrami u shpreh se 29-vjeçari Ramazan Sina që mbeti viktimë e të shtënave ishte duke drejtuar automjetin e tij, në të cilin ishte edhe Gentjan Bejtja, një personazh me të kaluar problematike, teksa po i drejtohej banesës së kunatit të tij, ku disa metra më tutje u qëllua me breshëri armësh dhe mbeti i vrarë, ndërsa dy fëmijë të mitur që ishin në makinë u plagosën.

Ai zbuloi se atentatorët kanë gjuajtur me kallashnikovë nga dy distanca, duke goditur nga një pjesë e fshehur me kallamishte dhe më pas rreth 20 metra më tutje gjatë largimit nga skena e ngjarjes.

Bajrami shtoi se automjeti i autorëve tip Volksvagen Golf është gjetur i djegur tërësisht, ndërsa brenda tij janë zbuluar dhe 3 armë kallashnikovë që dyshohet se janë përdorur gjatë atentatit.

“Ka qenë një ngjarje e rëndë ku kanë mbetur 2 fëmijë të plagosur nga armët e zjarrit, ndërsa as personazhet e krimit nuk po njohin asnjë kod.

I ndjeri 29-vjeçar ka qenë duke drejtuar makinën e tij duke shkuar te banesa e kunatit, ndërsa pak metra pranë banesës janë shkrepur breshëri automatiku ndaj mjetit duke vrarë Ramazan Sinën dhe duke plagosur 2 fëmijët. Dyshohet se në automjet ka qenë edhe Gentian Bejtja, një personazh me probleme në të shkuarën. Sipas këqyrjes së vendngjarjes janë gjetur 24 gëzhoja në një zonë me kallamishte ku kanë qenë atentatorët.

Më pas kanë qëlluar edhe nga një distancë tjetër në largim e sipër, rreth 20 metra më tutje. Ka qenë një familjar i familjes Bejtja që ka dëgjuar krismat herën e parë dhe ka dalë në dritare ku ka parë në distancë atentatorët duke ikur. Grupi hetimor ka administruar pamje të një kamere në banesën e Bejtjas që për shkak të një peme nuk ka filmuar dot ngjarjen.

Rreth 20 minuta më vonë automjeti i përdorur nga autorët është gjetur i djegur plotësisht, ndërsa janë gjetur edhe 3 automjete kallashnikovë që janë përdorur gjatë atentatit”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.