Raporti i KLSH-së për dëmin 138 miliardë lekë, reagon Meta: Korrupsioni, qëllimi madhor i Rilindjes!
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas publikimit të raportit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për dëmin ekonomik prej 138 miliardë lekëve për vitin 2022.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta shkruan se korrupsioni është i vetmi qëllim madhor i “Rilindjes”, teksa ka shtuar se çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, është interesi dhe prioriteti i PL-së.
Postimi i plotë i Metës:
Korrupsioni është i vetmi qëllim madhor i “Rilindjes”!
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një dëm ekonomik prej 138 miliardë lekë gjatë vitit 2022 për shkak të keqmenaxhimit të fondeve publike dhe shkeljeve ligjore, ku dëmi më i lartë prej 107 miliardë lekë lidhet me Tatimet dhe Doganat.
Vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë dhe rikthen shpresën tek të rinjtë, që në masë po detyrohen të braktisin vendin!
Çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, si dhe rivendosja e Llogaridhënies është interesi dhe prioriteti ynë kombëtar!
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–