Mon, Nov 25, 2024

Kuvendi fut me procedurë të përshpejtuar draftin për mjekët e rinj

  • PublishedJuly 6, 2023

Një projektligj i qeverisë që synon parandalimin e eksodit të mjekëve të rinj, i prezantuar për publikun të mërkurën, u fut me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit të enjten, pavarësisht kundërshtimit masiv të studentëve të Universitetit të Mjekësisë.

Nisma ligjore, e cila parashikon një marrëveshje paraprake me studentët e Mjekësisë që të punojnë deri në 5 vite në vend pas mbarimit të studimeve, pritet të miratohet brenda korrikut në Kuvend dhe të hyjë në fuqi para nisjes së vitit të ri akademik në vjeshtë.

Reagimi i qeverisë erdhi pas eksodit të lartë të mjekëve në vitet e fundit, kryesisht drejt Gjermanisë, duke e lënë sistemin shëndetësor shqiptar me mungesa të mjekëve specialistë.

Duke përdorur terminologjinë “Trajtimi i veçantë” dhe “Punësim me prioritet”, në fakt projektligji parashikon klauzola detyruese për gjithë studentët e rinj dhe për ata që janë aktualisht duke ndjekur studimet.

Nëpërmjet marrëveshjeve qeveri-student, kandidatët për degën “Mjekësi e Përgjithshme” do të duhet të bien dakord që diplomën ta tërheqin vetëm pas përmbushjes së kushtit të punësimit jo më pak se 5 vite në sistemin shëndetësor shqiptar pas përfundimit të studimeve. Detyrimi për punësim përfshin sektorin publik dhe atë privat.

“Pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet, deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5 (pesë)-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare,” thuhet në projektligj.

Parashikimet ligjore prekin dhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të jenë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje para nisjes së vitit të ri akademik duke pranuar të punojë jo më pak se 3 vite në vend.

Ndërsa për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, detyrimi i punësimit në Shqipëri është deri në 2 vite.

Për ata studentë që nuk pranojnë të nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë do të aplikohet pagesa e vlerës së plotë të kostos së studimeve, e cila nuk bëhet e ditur në projektligj.

“Metodologjia për përcaktimin e kostos së studimeve për programin e integruar tëstudimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë dhe çdo mbështetje tjetër për studentët e këtij programi studimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave,” thuhet në projekligj.

Qeveria i miklon studentët e Mjekësisë edhe me përfitime të tjera nga kjo marrëveshje detyruese, siç është përfshirja e tyre në programet sociale të strehimit.

Këshilli i Ministrave argumenton se masat e ndërmarra nxiten nga interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik. “…Dispozitat që përcillen përmes këtij projektligji janë hartuar në përputhje me nevojat e diktuara në vend për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik”- thuhet në relacionin shoqërues të projekligjit.