BIRN: Mandati i Xhaçkës, PS vazhdon piruetat për zvarritjen e vendimit të Kushtetueses
Mazhoranca socialiste kërkoi të premten rikthimin në pikën e nisjes të diskutimit parlamentar për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, edhe pse Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetuese dy vendime të Kuvendit për të bllokuar dërgimin në këtë gjykatë papajtueshmërinë e mandatit, pasi bashkëshorti i saj, ish-deputeti socialist Artan Gaçi, u shpall investitor strategjik.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit të premten, anëtarët socialistë shpallën qëndrimin e tyre për t’i rekomanduar kryetares së kuvendit, Lindita Nikolla, që të rikthejë për shqyrtim çështjen në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, gati 1 vit pasi ky këshill ka përfunduar diskutimin për këtë çështje.
Klotilda Bushka lexoi raportin prej 26 faqesh, që dilte në konkluzionin se mocioni mbetet për t’u trajtuar nga Këshilli i Mandateve si strukturë kompetente, edhe pse në praktikën e mëparshme parlamentare vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë shkuar direkt në seancë plenare për vendim.
Bushka tha se në këtë rast bëhej fjalë për një dispozitiv të ndryshëm të Kushtetueses që kërkonte rikthim për diskutim.
Duke iu referuar disa neneve të rregullores së Kuvendit për ligjshmërinë e vendimeve të Kuvendit, Bushka tha se “nëse dërgohet kërkesa për mocion në seancë, vendimi i Kuvendit për të çuar në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës nuk do të sjellë asnjë pasojë”.
Opozita doli me një qëndrim të kundërt dhe akuzoi mazhorancën se po kundërshtonte zbatimin e vendimeve të gjykatës për të mbrojtur kolegen e tyre socialiste.
“Këshilli i Mandateve e ka kryer misionin e tij, e ka shqyrtuar mocionin dhe ka marrë 3-4 muaj kohë për të dalë me 2 raporte, të cilat u votuan në Kuvend,” tha deputeti Saimir Koreshi i PD-së duke lexuar raportin e pakicës në Këshillin e Legjislacionit.
Koreshi u kujtoi kolegëve socialistë praktikën e mëparshme për raste të ngjashme që ka ndjekur Kuvendi, kur në asnjë rast mocionet për papajtueshmëri të mandatit të deputetit nuk janë rikthyer në Këshillin e Mandateve, por janë kaluar për vendim në Kuvend dhe dërgimin e tyre në Kushtetuese.
“Të jemi seriozë,” iu drejtua ai deputetëve të PS-së, duke shtuar se: “nuk mund të ndërhyjmë në punën e Gjykatës Kushtetuese, është ajo që vendos për mandatin e deputetit”.
Drejtuesja e mbledhjes, Ermonela Felaj sugjeroi që kryetares t’i shkonin dy raporte sugjeruese për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Duke dhënë qëndrimin e saj, ajo mbështeti raportin e kolegëve socialistë se që çështja të kthehej në “pikën e nisjes”.
“Është e qartë që ky këshill ( i Mandateve) do të duhet të rikonsiderojë çështjen,” tha Felaj.
Sipas Felajt, Këshilli i Legjislacionit, “edhe për shkak të profesionalizmit të anëtarëve, është thjesht këshillimor dhe nuk vendos për mandatet”.
Gjithsesi vendimmarrja e mëtejshme për çështjen “Xhaçka” do të ketë sërish të njëjtët protagonistë për shkak të përbërjes thuajse të njëjtë të dy këshillave, ku Felaj, Bushka dhe disa deputetë të opozitës janë po ashtu anëtarë.
Në praktikat e mëparshme të ngjashme, Këshilli i Legjislacionit i ka rekomanduar kryetares që të dërgojë për votim në seancë projekt-vendimin për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Zvarritja e një vendimi të Kuvendit për të dërguar në Kushtetuese çështjen ka nisur që në qershor 2022, kur opozita inicioi mocionin ndaj Xhaçkës.
/BIRN
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–