Mon, Nov 25, 2024

“Vëllai i deputetit kishte armë në dorë”, Jashar Maja paralajmëron autoritetet: Xhelal Rrajas nuk ia fal sa të jem gjallë! Policia ka frikë, por…

  • PublishedJuly 7, 2023

Gazetari Igli Çelmeta ka udhëtuar drejt Krujës, në banesën e Jashar Majas, një prej personave që mbeti i plagosur pas dhunës së rëndë që iu ushtrua nga fisi i deputetit të PS, Rrahman Rraja.

Ky i fundit  ka treguar edhe një herë të gjithë dinamikën e ngjarjes, teksa ndodhej në një lokal duke pirë kafe bashkë me kushëririn e tij, po ashtu i plagosur rëndë, dhe një inxhinier të gurores, e cila dyshohet se ishte dhe shkaku i ngjarjes.

Ai tha se po diskutonin me inxhinierin për mundësinë që shpërthimi i minave të ishte më i butë, pasi u janë dëmtuar banesat.

Në këtë moment, sipas tij, pa asnjë paralajmërim kanë mbërritur një grup personash nga fisi Rraja dhe i kanë dhunuar me shkopa bejsbolli dhe me qytën e armës. Ai thotë se këta të fundit kanë pasur edhe armë me vete, duke thënë se ka parë vëllanë e deputetit, Xhelalin, i cili kishte pistoletë në dorë.

Ai thotë se ata i kanë lënë pa ndjenja, ndërsa sipas tij policia ka ardhur dy orë me vonesë, pasi i tremben këtij fisi. Apeli i tyre i drejtohet autoriteteve ligjzbatuese, duke kërkuar që të arrestohen dhe dënohen të gjithë personat që morën pjesë në këtë sulm, për ndryshe thotë se do të bëjnë vetëgjyqësi.

“Ishim në prani të një inxhinieri të gurores dhe po diskutonim për minat, që t’i bëjnë më të buta shpërthimet sepse po na shembin shtëpinë. Menjëherë kanë ardhur fisi Rraja, me armë me shkopinj bejsbolli, na kanë dhunuar brutalisht deri sa të dy kemi rënë pa ndjenja. Kur kam ardhur në vete kam shkuar dhe kam ndihmuar çunin e xhaxhit, kemi dalë në xhade dhe kemi njoftuar policinë.

Pas dy orësh kanë ardhur se kishin frikë me këta persona. Nuk kanë njoftuar as ambulancën. Na shoqëruan me një makinë dhe kemi shkuar në spital më pas. Bilbili është shumë keq, unë kam dëmtime por jam pak më lehtë. Bilbili ndodhet në një klinikë private sepse ka thyerje dore, këmbë, shpatull, ka shumë të caran ë kokë.

Kanë qenë tre veta me armë, Xhelal Rraja, atë që e kam njoh. Disponojmë dhe një video që e kanë nxjerrë po ata, nuk e di pse e kanë nxjerrë. Me dash shteti i verifikon. Unë i bëj thirrje shtetit që t’i dënojë sa i parashikon ligji nëse nuk e bën do bëj vetëgjyqësi sepse skam çfarë të bëj.

Përparimi ka një gurore, për shkak se kemi protestuar sepse na kanë plasur shtëpitë nga minat, për këtë kemi protestuar dhe kemi denoncuar. Nuk na është hapë asnjë derë. Shkojmë te policia na thonë mos shkoni te gurorja se do t’u marrim të pandehur. Ne jemi të dëmtuar nga çdo anë, ajo gurore prapë vazhdon aktivitetin. Kemi shumë dëmtime në banesë, janë të plasaritura nga shpërthimi i minave.

Ne nuk kemi as mbrojtje as ka ardhur policia të na pyes a jemi gjallë apo kemi vdekur.

Unë kërkoj të vihen autorët të gjithë të marrin dënimin përkatës, ose do ta kthej në vetëgjyqësi. Xhelal Rrajas nuk ia fal sa të jem gjallë sepse nuk i kam faj. E kam bërë shtëpinë me djersë.

Kur na sulmuan nuk na folën fare, vetëm na ofenduan. Më kanë goditur edhe me armë, edhe me shkop bejsbolli.

Kryesorët që kanë qenë me armë dhe kanë kryer dhunën, nuk janë arrestuar, sepse nuk ka kapacitet ky shtet me i kap. Për këtë gurore jam bërë kështu, se kam bërë me pisllëk sikur janë ata. Nuk kam shkuar unë te Rrajat, por kanë ardhur ata tek unë. Kryesorët e kësaj ngjarjeje janë të lirë”, u shpreh ai.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.