Mon, Nov 25, 2024

Prishën qetësinë publike duke vendosur muzikë të lartë, procedohet penalisht pronari i lokalit dhe 3 muzikantë

  • PublishedJuly 9, 2023

KORÇË

Prishën qetësinë publike duke vendosur muzikë të lartë në ambientet e një lokali, procedohet penalisht pronari i lokalit dhe 3 muzikantë, të cilët ishin punësuar në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë në bashkëpunim me Task Forcën si rezultat i kontrolleve gjatë natës, për parandalimin e shqetësimit të qytetarëve dhe pushuesve, nga ndotja akustike që është pasojë e muzikës së lartë në subjekte të ndryshme argëtimi, kanë konstatuar 1 rast të paligjshmërisë në këtë fushë.

Konkretisht në një lokal në lagjen nr. 4, Korçë, është konstatuar muzikë e lartë, në tejkalimin të përcaktimeve ligjore mbi nivelin e zhurmave.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit M. Z (pronari i lokalit), A. H; A. Zh. dhe M. Ç., muzikantë në këtë lokal, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu gjatë verifikimeve të kryera rezultoi se tre muzikantët nuk ishin të deklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore, si të punësuar në këtë lokal.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të paligjshmërive në këtë fushë, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.