Mon, Nov 25, 2024

Akuzat/ Zbardhet dosja hetimore, SPAK: Arben Ahmetaj mori përfitim të parregullt nga Zoto dhe Mërtiri

  • PublishedJuly 10, 2023

News24 dhe BalkanWeb zbardh dosjen hetimore në lidhje me kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.

Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar dosjen hetimore ku thuhet se Ahmetaj mori drejtpërdrejtë përfitim të parregullt për çështjen e inceneratorëve, nga biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në periudha të ndryshme, duke futur dhe emra të tjerë në këtë ‘skemë’.

“Ka marrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi, përfitim të parregullt, për vete ose persona të tjerë, konkretisht shumën 170480 euro në vitin 2016 dhe 2017, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke e paraqitur si pagesë e bërë të një shtetasi tjetër dhe Arben Ahmetajt, përkundrejt një ‘shitje’ ndaj një shtetasi., të dy apartamenteve me sipërfaqe 124.15 metra katrorë dhe një me sipërfaqe 148.8 m katrorë në vendin e quajtur Selitë, vlerë kjo e paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasi Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve të tjerë.

Truall+ndërtesë në Hamallaj, e përfituar në vitin 2017, nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë ndërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të Zotos, në vijim në emër të një personi tjetër, e më pas në emër të bashkëjetueses së Ahmetajt. Shumën prej 130.000 eurove në vitin 2017 dhe 2018, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë ndaj një personi dhe ndaj Arben Ahmetajt, përkundrejt një shitje ndaj një tjetër personi, të një apartamenti dhe një garazhi.

Shumën prej 140.00 euro në vitin 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit, përkundër një ‘shitje’ të një apartamenti me sipërfaqe 178.68 metër katror dhe një garazh, në Selitë, vlerë kjo e paguar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Shumën prej 34.422 euro të përfituar në formën e shpenzimeve për pagesa hotelesh, apo udhëtimesh, përgjatë periudhës 2013 deri në 2017, të bëra nga Mërtiri dhe Zoto për Ahmetajn dhe familjarë të tij.
Shumën në total prej 2007373 lekë, në vitet 2019 deri në 2020 në formën e pagesave të kryera ndaj subjekteve të ndryshme tregtare, nga shtetasit Zoto dhe Mërtiri, nëpërmjet shoqërisë ‘Integrated Technology Service’ në funksion të investimit të kryer në pasurinë e llojit apartament, në pronësi të Ahmetajt.”, thuhet në dosjen hetimore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.