ANALIZA/ Erl Murati: Rasti “Rraja” dhe opozita me pushime të parakohshme
Nëse kërkon në “Google” me togfjalëshin “të dorëhiqet Bledi Çuçi” të dalin me qindra lajme për kërkesat e vazhdueshme të opozitës për largimin nga detyra të ministrit të Brendshëm.
Kërkesa për dorëheqje të Çuçit u artikuluan në rastin e vdekjes në komisariat të të riut Lear Kurti, me rastin e vdekjes në komisariat të të riut Arben Mici, me rastin e vetëvrasjes në komisariat të të riut Y.M., me rastin e vrasjes së 3-fishtë nga i sapoliruari nga burgu Dan Hutra, etj.
Madje edhe me rastin e ndërhyrjes së policisë në kampin e muxhahedinëve në Manëz, Berisha kërkoi dorëheqjen e Bledi Çuçit.
I vetmi rast, kur opozita nuk ka kërkuar largimin e ministrit të Brendshëm, ishte ky i fundit, rasti “Rraja”.
Largimi i ministrit të Brendshëm ndodhi kur opozita më pak e priste. Madje rasti i Rrajave që masakrojnë me shkopinj dy kushërinj dhe filmojnë gjithë ngjarjen në mes të ditës, tregon 2 gjëra. E para, që shteti nuk kontroll fare territore të caktuara në Republikën e Shqipërisë dhe e dyta, që opozita i ka marrë herët pushimet verore.
Rasti i Fushë-Krujës jo vetëm për shkak të dhunës, por për shkak të sfidës së hapur që i bëhet shtetit dhe shoqërisë, duhet të ngjallte një reagim të ashpër kryesisht nga opozita.
Por, fatkeqësisht, opozita nuk e reflektoi dot politikisht revoltën qytetare. Janë raste të tilla, kur qytetari ndjen se është i përfaqësuar ose jo politikisht nga qeveria apo nga opozita e vendit.
Dhe në fakt, Edi Rama e reflektoi këtë revoltë qytetare duke e perceptuar si një rrezik ndaj qeverisjes, pushtetit dhe autoritetit të tij. Ai e kuptoi se nuk mund ta kalonte këtë incident me një ndjesë, largim shefash komisariati ose me frazat standarde “përgjegjësia është personale” dhe “PS nuk bëhet strehë e askujt”.
Ai vendosi të lëshojë një ministër të Brendshëm dhe një anëtar të grupit të tij parlamentar vetëm për t’iu përgjigjur pritshmërive të publikut. Të ishte për opozitën politike, Cuçi dhe Rraja do të shkonin të hënën në mëngjes në zyrat respektive.
Po pse opozita nuk e përktheu politikisht zemërimin qytetar që e kaploi në këtë rast?
Asnjë dalje publike në vendngjarje, asnjë vizitë në spital të plagosurve, asnjë vizitë në shtëpi, asnjë takim me banorët që pretendojnë se janë dëmtuar nga guroret. Vetëm disa statuse të thata në rrjetet sociale.
Berisha u kujdes të specifikojë se një nga të rrahurit e fisit Maja, është kryetar i grupseksionit të PD në Borizanë. Dhe kaq.
Rasti “Rraja” tregon më shumë se gjendjen aktuale të pafuqisë politike të opozitës.
E ndarë dhe e përçarë ne 4 fraksione apo grupime faktike, opozita e sotme shfaqet e dorëzuar përballë pushtetit. Ajo sillet sikur është e ndërgjegjshme që nuk mund të bëjë asgjë për të ndryshuar gjendjen e saj. Eshtë e ndërgjegjshme se nuk është kompetitive, e vetëdijshme se nuk mund të rivalizojë PS në pushtet edhe nëse ajo kaplohet nga skandalet në vazhdimësi. Prandaj, rri e pret.
Basha pret Berishën, Bardhi pret Bashën, Berisha pret Bardhin. Dhe Meta i pret të gjithë.
Dhe të gjithë, kanë vendosur të nisin pushimet e parakohshme, i janë dorëzuar fatit të tyre. Rënies së lirë drejt disfatës së ardhshme elektorale. Jetëgjatësisë në opozitë që po mbyll dekadën e plotë.
Në fakt, duhet të ketë dinjitet edhe në humbje e disfatë. Pavarësisht se pushteti ngjan i largët dhe Edi Rama, më i fortë se kurrë, opozita duhet të bëjë atë për të cilën është mandatuar. Duhet të jetë në terren, me njerëzit, të përpiqet t’i kuptojë, të jetë zëri i tyre, të jetë avokate e tyre, të bëhet avokate e njerëzve kur mafia i rrezikon jetën, të sakrifikojë. Pra, të kryejë detyrën e saj funksionale.
Sot për sot, opozita politike ngjan me një tjetër Krujë, të marrë peng. Jo nga një fis, por disa fise.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–