Mon, Nov 25, 2024

“Ahmetaj ka pasur kohë për t’u arratisur”, Bardhi: Ja kur do jepet autorizimi për arrestimin e ish-ministrit

  • PublishedJuly 11, 2023

Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka deklaruar për mediat pas mbylljes së Këshillit të Mandateve ditën e sotme në lidhje me Arben Ahmetajn se ka kaluar kohë e mjaftueshme që ish-ministri të jetë arratisur.

Ai u shpreh mes ditës së kërkesës së SPAK dhe ditës së sotme kanë kaluar 3-4 ditë, kohë kjo që sipas tij ka qenë e mjaftueshme për arratisjen e Ahmetajt.

Bardhi shtoi më tej se në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Mandateve do dëgjohen pretendimet e avokatëve të Ahmetajt, të cilët kanë kërkuar të shqyrtojnë provat.

Ai vijoi më tej duke thënë se avokatët kanë kërkuar 24 orë të tjera dhe me gjasë autoriteti për arrestimin e Ahmetajt do jepet javën që vjen, vonesë që sipas tij nuk ka ndodhur herë të tjera.

“Kam pyetur Dumanin se ku ndodhet Ahmetaj, por nuk kam marrë përgjigje nëse ai ndodhet në Kanada apo jo. Nuk dua të aludoj për vendndodhjen e Ahmetajt kësisoj. Informacionin që patëm ne ia vumë në dispozicion prokurorisë dhe u konfirmua se ai nuk ndodhet në Shqipëri. Mes ditës së kërkesës së SPAK dhe ditës së sotme kanë kaluar 3-4 ditë, kohë e mjaftueshme për largimin e Ahmetajt dhe arratisjen.

Pyetjet tona kishin të bënin me motivin politik të kërkesës. Nuk kemi marrë përgjigje nga prokuroria për vilën e Ahmetajt në Palasë, të cilët pretendojnë se e ka marrë nga një personazh Edmond Begaj, i lidhur me mazhorancën. Nesër do dëgjojmë pretendimet e avokatëve të Ahmetajt që kërkuan të shqyrtojnë provat. Avokatët ndërkohë kanë kërkuar 24 orë të tjera, dhe me gjasë autoriteti jepet javën që vjen, dhe kjo është një vonesë që nuk ka ndodhur herët e tjera. Për Tahirin është marrë vendimi brenda dy ditëve”, u shpreh Bardhi.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.