Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin e Ibrahim El Salih për propangadim të xhihadit
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizaur vendosi të martën m 11 korrik lënien në fuqi të dënimit në shkallë të parë të të pandehurit Ibrahim El Salih Lekica, për veprën penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave penale me qëllimë terrotiste”. Më 28 dhjetor 2022, Prokuroria e Posaçme, SPAK përfundoi hetimet ndaj Salih, duke e akuzuar se propagandonte xhihadin nëpërmjet shkrimeve të publikuara në rrjetin social Facebook.
Akuza e prokurorisë u gjet e mbështetur në prova prej Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që me vendim të 13 shkurtit 2023 e deklaroi Salih fajtor dhe caktoi dënim me 4 vjet burg. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri u dënua përfundimisht me 2 vjet e 8 muaj burgim. Kjo vendimarrje u çmua e drejtë dhe nga trupi gjykues i Apelit, i kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova dhe anëtarë gjyqtarët Daniela Shirka e Dhimitër Lara, të cilët lanë në fuqi dënimin e Salih.
SPAK në konkluzionet e tij parashtroi se nga ana e të pandehurit manifestoheshin thirrje për të shtyrë lexuesit dhe ndjekësit e tij në Facebook, për të përkrahur luftën shenjtë ‘xhihadin’; se është solidarizuar me personat e vrarë në këtë luftë lidhur me legjitimimin e krijimit të të ashtuquajturit shteti islam i Irakut dhe udhëheqësit e tyre; se ka mbështetur personat e burgosur të cilët kryejnë vepra penale dhe akte terroriste kundër disa shteteve perëndimore; ka përkrahur mobilizimin e fëmijëve në akte të dhunshme; si dhe ka synuar nxitjen dhe ka bërë thirrje publike për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste.
Ibrahim El Salih, 56-vjeçari nga Kukësi u arrestua më 24 maj 2022 nga Drejtoria e Antiterrorit në Poicinë e Shtetit. I lindur në fshatin Shtiqën dhe banues në Kukës, El Salih njihet si besimtar praktikant i fesë islame dhe ish-punonjës i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit. Baba i dy fëmijëve të rritur, ai raportohet gjithashtu si aktivist politik dhe mbështetës i opozitës, por nuk është shquar më parë për prirje ekstremiste ose radikale fetare.
Kërkesa e prokurorit të SPAK, Adnan Xholi për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Salih dhe vendimi i mëparshëm për pranimin e kësaj kërkese nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, u rrëzua nga gjyqtari i po kësaj gjykate Engert Pëllumbi, pas ankimit të kryer nga përfaqësuesi ligjor i të pandehurit. Pëllumbi arsyetoi se “të gjitha postimet e bëra nga personi nën hetim[…], janë opinione të cilat mund të devijojnë dukshëm, si nga mendimi i përgjithshëm i komunitetit lidhur me këto probleme ashtu dhe nga doktrina zyrtare e fesë së përqafuar prej tij, por që gjithësesi meritojnë të mbrohen nën dritën e lirisë së shprehjes”. Vendimarrja e Pëllumbit për lirimin e menjëhershëm të Lekicës, u gjet e drejtë edhe nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Përfaqësuesi ligjor i Ibrahim El Salih, avokati Ferid Muça pohoi atëherë për BIRN se postimet dhe qëndrimet e të përfaqësuarit prej tij ishin në kuadrin e lirisë së ndërgjegjes dhe lirisë së fesë. Ai e cilësoi vendimarrjen për lirimin e Salih të bazuar edhe në jurispudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Por, vendimarrja e fundit e Gjykatës së Posaçme të Apelit lidhur me gjykimin e çështjes në themel, për lënen në fuqi të dënimit të Lekicës është i formës së prerë, e kthen në burg të pandehurin.