Ndarja nga jeta e skulptorit Agim Rada, Ilir Demalia dedikim të ndjerë për mikun e afërt: Shko dhe kërce me yjet i dashur mik tani!
Ilir Demalia përmes një postimi në rrjetet sociale ka shprehur një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të skulptorit Agim Rada.
Demalia shkroi në Facebook se Rada si skulptor kurrë nuk realizoi një vepër të realizmit socialist “si turma e tam-tameve të piktorëve, skulptorëve, shkrimtarëve, artistëve, që siç thonte Agim Rada, sot këta duhet të venë maska kur dalin në rrugë që mos ti njohi njeri”.
Ai shoqëroi mesazhin e tij të lamtumirës me një thënie nga shkrimtari Fredrik Niçe, duke thënë Artisti duhet të ketë kaos brënda vetes që të lindi duke kërcyer me yjet.
Postimi i plotë:
Lamtumirë mik!
Sot në mëngjes mora lajmin e largimit për në Amshim, të mjeshtrit, skulptorit, rebelit, njeriut të pakonformuar Agim Rada, që siç thoshte dhe vetë, Ai kishte republikën e tij me një banor.
Agim Rada i takon atij brezi të vogël, e mandej, do të thoja tepër të vogël të rebeluarve të viteve 1980-90 si të pakonformuar me regjimin dhe me turmat pa kokë dhe zemër.
Agim Rada si skulptor, kurrë nuk realizoj një vepër të realizmit socialist si turma e tam-tameve të piktorëve, skulptorëve, shkrimtarëve, artistëve, që siç thonte Agim Rada, sot këta duhet të venë maska kur dalin në rrugë që mos ti njohi njeri. Mirëpo ata e kanë fytyrën maskë dhe e ndërrojnë si kameleonë sipas situatës. Mirëpo ne i dimë e i njohim turpet e shëmtitë e tyre dhe krimin e madh të shpëlarjes së truve të turmave pa krye, si krime të një ideologjie Gebelsiane.
Agim Rada u inspirua në krijmtarinë e tij para 1990, me Onufrin, Gjon Buzukun, Jan Kukuzelin, kur armata e Lidhjes Shkrimtarëve dhe Artistëve të Partisë, krijonin pllakate shëmtira piktura e skulptuara dhe letërsi me modelin “Ku ti kërkoj rrënjët e tua Parti!.”
Pas 1990 kur kameleonët ndërruan lëkurën e fytyrës me modelin e realizmit demo(n)krit tip “Kolonel Bunkeri” Agim Rada, kriijoi simbolin e persekutimit të Klerit Katolik, me klerin lidhur këmbësh e duarsh me zinxhirë që qëndron para Katedrales së Shkodrës. Më pas bustin e gjeniut Mit’hat Frashëri. Së fundi po merrej me Monumentin e At Gjergj Fishtës. E ka hedhur në allçi por nuk kishte fonde, se sigurisht fondet shkojnë për kameleonët e realizmit demo(n)kritik dje realizmit socialist.
Për Agim Radên duhet të shkruash pafund, por sot po i jap Lamtumirën më një thënie të Frederik Niçe, që i shkon për shtat mikut tim Agim Rada: Artisti duhet të ketë kaos brënda vetes që të lindi duke kërcyer me yjet.
Shko dhe kërce me yjet i dashur mik tani!
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–