Mon, Nov 25, 2024

ANALIZA/ Preç Zogaj: Lavde hetimit ligjor, mbështetje pa ekuivoke SPAK-ut

  • PublishedJuly 12, 2023

Preç Zogaj
Kërkesa e SPAK drejtuar parlamentit për arrestimin e deputetit Arben Ahmetaj, ish-ministër në tri qeveritë e Edi Ramës, po komentohet në mënyra të ndryshme, sipas interesave dhe pozicioneve respektive, nga politikanët dhe mediumet pranë tyre. Qytetarëve mund t’u ketë vrarë veshët një lloj sintonie në deklaratat majtas e djathtas që e shohin veprimin e SPAK si të motivuar, të kalkuluar apo të urdhëruar politikisht për të tërhequr vëmendjen nga skandalet e tjera në vend (!?), për të bërë një kokë turku, për të zbardhur dikë më lart duke nxirë tjetrin më poshtë, e plot mbroçkulla të tjera të kësaj natyre.

E përbashkëta e këtyre qëndrimeve është përpjekja e ethshme e malavitës plurale në Kuvend e jashtë tij për ta relativizuar në maksimum aktin kundër një peshku të madh tashmë, që përbën një stad të ri me të avancuar të pavarësisë dhe integritetit të SPAK. Njëherësh me këtë përpjekje, edhe mbajtja e ligjërimit për drejtësinë e re në qerthullin e vjetër sikur ajo është e dështuar, e kapur, e komanduar, e kurdisur politikisht, e tjerë e tjerë – një refren që e dëgjojmë prej kohësh dhe që ka pasur e ka për qëllim dekurajimin e prokurorëve të SPAK-ut dhe mbjelljen e pesimizmit në publik sikur as amerikanët nuk po ia dalin.

Në fakt, sikurse e kemi argumentuar edhe më parë në shkrimet për këtë temë, kapja e drejtësisë në vendin tonë nuk ka qenë dhe nuk është ajo që kërkon të shesë rëndom opozita problematike sikur kryeministri dhe qeveria në fuqi e kapin për tua ndërsyer drejtuesve të opozitës. Kapja e drejtësisë tek ne ka pasur kuptimin e mosfunksionimit të saj në sferat e larta, ku ligji pushonte se sunduari dhe ku prokuroret e gjyqtarët ndaloheshin të shkelnin. E gjithë kjo në bazë të një pakti të pashkruar mes kastës politike solidare e plurale në pushtet dhe në opozitë, sipas të cilit kryeministri i radhës garanton paprekshmërinë e ish zyrtarëve të lartë para tij dhe kështu pambarim në spiralen a pandëshkueshmërisë së përjetshme për çdo hajdut e të korruptuar në qeverisje.

Këtë gangrenë shkatërruese për demokracinë vuri në shënjestër reforma në drejtësi me bashkautorësi amerikane dhe europiane. Këtu jemi tani pas një të përpjete të gjatë, me shumë kthesa dhe pengesa: SPAK po godet në sferat e larta. Po godet zyrtarë të lartë e shumë të lartë të partisë në pushtet, po heton ish zyrtarë të lartë dhe afera të dyshuara të qeverive të mëparshme. Do të thotë se drejtësia po çlirohet nga kapja e vjetër dhe po vepron si një korporatë atonome e mbyllur ndaj ndikimeve politike, duke pasur si busull detyrën dhe ligjin. E bukura në gjithë tollovinë e ngritur për çështjen “Ahmetaj” është se SPAK, me sa kuptohet, është i vendosur të ecë përpara pa dëgjuar as majtas, as djathtas sirenat e vjetra të politikës. Pa u kompleksuar, pa u trembur.

Ky është një lajm shumë i mirë për shoqërinë dhe për vendin. Nuk është fjala për të besuar e emfatizuar çdo akuzë dhe as për të përvijuar, larg qoftë, një republikë të prokurorëve. Fjala e fundit për çdo akuzë i përket gjyqësorit. Prezumim i pafajësisë së çdo të pandehuri deri në një vendim të formës së prerë është i garantuar. Të drejtat e të pandehurit gjithashtu. Fjala është për të vendosur rendin e transparencës ligjore për akuzat ndaj zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë. Duke i zbardhur e gjykuar ato konform ligjit në institucionet e drejtësisë dhe jo duke ua lënë pa përgjigje shamatorëve publikë që vetëm e helmojnë shoqërinë, siç thotë Makiaveli. Institucionalizimi dhe normalizmi i hetimit për çdo politikan a ish politikan mbi të cilin rendojnë akuza të ndryshme ndan të vërtetën nga shpifjet e gënjeshtrat dhe shënon kalimin e Rubikonit nga SPAK në raport me misionin për të cilin është ngritur e funksionon.

Kjo po ndodh. Është një betejë që kërkon kurajo dhe profesionalizëm të lartë. Nuk është njëlloj si të akuzosh nga foltoret e politikës, kolonat e gazetës apo studiot e televizioneve. Në sallën e gjykatës është krejt ndryshe. Kushdo e kupton këtë. Ndaj them se është koha për t’i adresuar lavdërime dhe mbështetje të qartë SPAK-ut si institucioni kyç i drejtësisë së re. Shpërthimi i pandëshkueshmërisë po vjen pikësëpari prej tij. /Liberale.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.