KPK shkarkon nga detyra prokurorin Ndriçim Troplini
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 12 korrik vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Ndriçim Troplini. Vendimi u mor unanimisht nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.
Gjatë seancës dëgjimore më 6 korrik, Komisioni ngriti dyshime se dy apartamente të blera në Durrës nga prindërit e prokurorit Ndriçim Troplini mund të jenë prona të tij, si dhe u konstatuan balanca negative e u ngritën dyshime për veprime fiktive në transaksionet për shitjen e një mjeti, gjetje që u kundërshtuan nga subjekti. Troplini dha shpjegime dhe për barrat e provës në kriterin profesional dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
Ndriçim Troplini përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2008 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit.