Tue, Nov 26, 2024

“Kërkesat e tyre bazike”, VOA: Mentaliteti dhe vështirësitë ekonomike rëndojnë gjendjen e grave në veri të Shqipërisë, të dhunuarat nuk kanë as informacion

  • PublishedJuly 13, 2023

Me gjithë përmirësimet që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, bashkitë e zonave malore në veri të Shqipërisë vazhdojnë të përballen me ritme më të ulëta zhvillimi dhe probleme social- ekonomike krahasuar me pjesën tjetër të vendit.

Në konferencën “Barazia gjinore në Veri të Shqipërisë”, mbajtur në Shkodër, drejtuesja e organizatës “Gruaja tek gruaja”, Denada Shpuza tha se kjo situatë ka reflektuar në pjesën më të madhe tek gratë dhe vajzat që jetojnë në këtë pjesë të vendit.

“Kërkesat e grave dhe vajzave vazhdojnë të jenë bazike si; furnizimi me ujë të pijshëm, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe kryesisht ndriçimit, përmirësimi i infrastrukturës në shkolla, përmirësimi i sistemit të kanalizimeve. Duket sikur janë problematika që shqetësojnë të gjithë komunitetin, por më së shumti në fakt shqetësojnë gratë dhe vajzat”, tha ajo.

Problemet social-ekonomike shpesh herë manifestohen me dhunë brenda familjes, thotë Lindita Gjeçaj, një grua e divorcuar 12 vite më parë për shkak të dhunës.

Lindita thotë se, zonat malore janë lënë disi jashtë vëmendjes, si për sa i përket nevojës së informimit të grave dhe vajzave, ashtu edhe mbështetjes së tyre.

Kjo situatë, thotë Lindita, e bën gruan inferior në familje, ndaj edhe një pjesë e madhe e grave, në bashkitë veriore të Shqipërisë, nuk tentojnë të marrin urdhër mbrojtje në gjykatë në rastet e dhunës në familje.

“Ne, si gra të dhunuara, jemi shumë të painformuara në lidhje me urdhrin e mbrojtjes. Ku do të drejtohemi si në gjykatë, në prokurori? Hasim shumë probleme, sepse një grua e dhunuar do të dalë në rrugë bashkë me fëmijët. Ajo do të marrë parasysh që të paguajë ujin, dritat, qiranë e shtëpisë, t’i ushqejë fëmijët. Me çfarë do t’i ushqejë? Sepse kushtet ekonomike janë shumë të vështira”, thotë ajo.

Ndërsa drejtuesja e organizatës “Gruaja tek gruaja”, Denada Shpuza, thotë se adresimi i këtyre problematikave nuk mund të bëhet vetëm nga burrat pa pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në vendimmarrje.

Në bashkitë në veri të Shqipërisë nuk ka asnjë grua kryetare bashkie dhe as në krye të njësive administrative.

“Pavarësisht se kemi një përmirësim të situatës për sa i përket përfaqësimit të grave dhe pjesëmarrjes së tyre në këshillat vendore apo kemi një numër të shtuar të grave në administratën publike, ajo që unë mund të them është se ka një problematikë edhe më të hershme në Bashkinë e Shkodrës sepse, në krye të njësive administrative nuk ka asnjë grua. Dhe, pa dyshim, adresimi i çështjeve nuk mund të bëhet njësoj si nga burrat, ashtu edhe nga gratë”, thotë Denada Shpuza.

Në studimin që organizata “Gruaja tek gruaja” ka kryer në 4 bashkitë veriore të Shqipërisë; në Shkodër, Malësi e Madhe, Fushë-Arrëz dhe Has, është arritur në përfundimin se, mungesa e grave dhe vajzave në vendimmarrje lidhet më së shumti me mentalitetin e banorëve të kësaj zone si dhe me vështirësitë që gratë dhe vajzat hasin në jetën e tyre të përditshme./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.