Projektligji për Urdhrin, inxhinierët sërish kundër: Nuk mund t’i lihet një enti publik përveç shtetit. Të gjitha licencat ekzistuese do të shfuqizohen
Deputetët e Partisë Socialiste, Luljeta Bozo dhe Ismet Beqiraj po e organizojnë profesionin e inxhinierëve dhe atë të hidroteknikut në dy ligje të veçanta.
Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë i kryesuar nga Dëshira Mena kanë dalë sërish kundër dy ligjeve duke u shprehur se nuk mund të lihet në dorën e askujt urdhri i inxhinierit përveç shtetit.
“Nuk mund lihet në dorën e një enti publik përveç shtetit me të gjitha organizmat dhe administratën që ka një shtet, të gjitha licencat ekzistuese do të shfuqizohen ne momentin që sot shfuqizohen do të thotë që t’i do të ndjekësh një rrugë apo protokoll të përcaktuar shumë mirë nga projektligjet e tyre”, deklaron Mena.
Sipas Unionit të Inxhinierëve në vendin tonë nuk ka mangësi në legjislaturën aktuale për sektorin e inxhinierit në Shqipëri. Ata theksojnë se ky profesion është i rregulluar me ligj.
“Profesioni i inxhinierit është një profesion i rregulluar me ligj është një profesion që ushtron aktivitetin e tij bazuar në ligjet përkatëse dhe nuk ka arsye objektive për ndërtimin e urdhrave për profesionin e inxhinierit”, shtoi Mena.
Inxhinierët shprehen se krijimi i Urdhrit nuk sjell asnjë të re dhe krijon monopol. Unioni i inxhinierëve ka firmosur një peticion me mbi 3000 firma online për të kundërshtuar këto dy projektligje. Deri më tani sipas tyre askush nuk është konsultuar me ta.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–