Mon, Nov 25, 2024

SPAK kërkon Ahmetajn/ Lubonja: Mund të jenë prishur pazaret, do dalin emra të tjerë. Alizoti: Rama është “El Chapo” në këtë mes

  • PublishedJuly 13, 2023

Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar situatën e krijuar në vend nga kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.

Lubonja ka deklaruar se me ish-ministrin Ahmetaj mund të ketë pasur “prishje pazaresh”, që ka sjellë edhe kërkesën për arrestim të këtij të fundit.

Sipas tij kërkesa për të arrestuar Ahmetajn ka ardhur për shkak të kësaj ose një lufte të brendshme në Partinë Socialiste, ndërsa nuk la pas as mundësinë e “mbështetjes së fortë” ndërkombëtare për drejtësinë.

Sakaq, ai deklaroi se çështja e inceneratorëve do hapet dhe se do dalin emra të tjerë përgjegjës.

Nga ana tjetër deputeti i PD, Tomor Alizoti është shprehur se nuk ka besim te hetimi nëse gjithçka mbetet tek Ahmetaj dhe nëse hetimet nuk vazhdojnë.

Ai shtoi se krimi me inceneratorët ende po vazhdon dhe se po paguhen çdo ditë mijëra euro “kot”. Alizoti u shpreh më tej se në krye të aferës qëndron kryeministri i vendit, Edi Rama, të cilin e konsideroi si “El Chapo” në këtë mes.

Lubonja:

Me Ahmetajn mund të ketë qenë një prishje pazaresh, se këta kështu funksionojnë. Çështja do hapet dhe do dalin emra. Edhe ata në SPAK nuk janë superheronj. Është problem kur ke Toto Rinën në krye të qeverisë. Në këtë situatë ose një mbështetje, ose nga këto sherret ose luftë brenda PS-së. Nëse ai ka ikur dhe këtu bllokohet gjëja, do mbetemi te hipoteza që Ahmetaj u informua dhe u largua përfundimisht.

Alizoti:

Nëse kjo ngel te Ahmetaj nuk e besoj si gjë. Nëse hetimet vazhdojnë. Kjo duhet të shkojë në detaje, sepse Ahmetaj nuk ka punuar vetëm. SPAK duhet të bëjë diçka serioze dhe të frenojë pagesat për inceneratorët që nuk funksionojnë. Krimi ende po vazhdon. Po paguhen kot mijëra euro çdo ditë. Edi Rama është “el chapo” në këtë mes.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.