E PLOTË/ Kërkesa për arrestimin e Ahmetajt, Rama i prerë: E mëshiroj! Kush punon për xhepin, të mbajë përgjegjësi para Zotit e para drejtësisë!
Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat ka komentuar sot kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, që e cilësoi si bashkëpunëtorin e tij të ngushtë.
Në mesazhin e tij, Rama tha i prerë se e mëshironte Ahmetajn, dhe ata që tentojnë që të mbushin xhepat e tyre, ndërsa i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë deri në fund.
Ai tha se përgjegjësia, është para Zotit dhe para drejtësisë, duke shtuar se ai dhe PS nuk mbajnë asnjë mbi supe.
FJALA E PLOTE
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!
Sot ne votuam një kërkesë të SPAK-ut për të autorizuar arrestimin e një deputeti, i cili ka mbuluar detyra të rëndësishme në qeveritë tona, si ministër dhe zv.kryeministër!
Ky i zyrtarit më të lartë shqiptar që gjermësot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK-ut, ishte një tjetër test për ne, si nismëtarët e Reformës në Drejtësi, kur ishim në opozitë, udhëheqësit e saj të vendosur kur erdhëm në qeveri dhe garantët e saj të palëkundur që kur Reforma u miratua e hyri në rrugën e zbatimit të saj.
Kush më ka dëgjuar, qysh në krye të herës besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë. Kur kam thënë se nuk duam një tjetër arrnë nga ato të mëparshmet për drejtësinë, po duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë çka flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar.
Kur kam folur për sistem të vjetër, nuk kam pasur parasysh vetëm kalbësirën kutërbuese të drejtësisë gjasme demokratike të çerek shekulli tranzicion, ku pandëshkueshmëria ishte kthyer në një normë poshtëruese për shqiptarët e për Shqipërinë. Po kam pasur parasysh edhe vetë kulturën mjerane të një drejtësie të egër për njeriun e zakonshëm dhe të një drejtësie të gjunjëzuar para njeriut të veshur me pushtet, kulturë që rrënjët i ka të shtrira qysh nga dita e parë e krijimit të shtetit shqiptar dhe deri vonë në ditët tona sepse asnjëherë, që nga viti 1912 dhe deri në vitet kur ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, i hymë detit në këmbë, për ta nxjerrë matanë Reformën në Drejtësi, nuk kishte bërë kurrë vaki, që një shkelës ligji me pushtet, të trajtohej nga drejtësia si një njeri i zakonshëm në shkelje të ligjit. Rasti i vetëm në memorien historike të 33 vjetëve nga rënia e sistemit të drejtësisë proletare, kur një njeri me pushtet është dënuar nga gjykatat e këtij vendi, ai i ish-kryeministrit Fatos Nano ishte në fakt, rasti i fundit i traditës shtetërore shqiptare, të persekutimit dhe burgosjes politike të një kundërshtari të pushtetit arbitrar të radhës, që nga koha e përpara mbretërisë e deri shumë vonë. Periudha e diktaturës komuniste ishte pastaj shëmbëlltyra më e përbindshme e asaj kulture barbarie të drejtësisë sipas oreksit të të parit.
Kur kam thënë se nuk duam një reformë për ta vënë drejtësinë nën kontrollin e një pale kundër tjetrës, po duam një drejtësi të re, të pavarur nga pushteti i politikës, të aftë për ta luftuar korrupsionin e niveleve më të larta dhe krimin e organizuar, të ndershme në hetimet e gjykimet e saj, pavarësisht ngjyrave partiake, lidhjeve klanore, tundimeve korruptive, nuk kam qenë vetëm lideri i opozitës, po kam qenë edhe kryeministri i Shqipërisë. Nuk kam folur për të qenë në rregull me manualin e komunikimit të kryetarit të qeverisë, si paraardhësit e mi.
As nuk jam mjaftuar me fjalët e mëdha për nevojën e Reformës në Drejtësi pa vepruar, por jam përpjekur papushim, për ta miratuar atë edhe me koston e prishjes së qeverisë së koalicionit aso kohe, e pse jo edhe të humbjes së pushtetit, po të ishte nevoja dhe për ta mbështetur atë pa asnjë bishtnim karshi qëllimit të saj të madh, edhe kur ndodh që ajo të veprojë në mënyrë jo fort bindëse në ndonjë rast të caktuar.
Nuk jam përpjekur thjesht për korrupsionin e nivelit të lartë të atyre që dje në qeveri grabitën sa mundën dhe sot në opozitë baltosin sa mundin pa u hyrë ende as edhe një gjemb në këmbë, po e kam pasur edhe për nivelin e lartë të qeverisjes sonë sigurisht sepse mua këtë mision ma kanë besuar shqiptarët dhe përpara atyre, qoftë atyre që më kanë zgjedhur apo qoftë atyre që nuk më kanë zgjedhur për ta udhëhequr këtë përpjekje historike në të mirë të të gjithëve, për këtë vend të bekuar nga dora e Zotit dhe të penguar kaq gjatë nga dora e robit, unë nuk pajtohem dot me askënd që e abuzon këtë besim, duke e kthyer mandatin e shqiptarëve, të votuesve tanë dhe besimin tim gjithashtu, në një mundësi të palejueshme për të fryrë xhepin, duke punuar për shtetin.
Për hir të këtij misioni dhe për t’u kthyer shqiptarëve, me sa fuqitë e mia ma lejojnë, nderin e jashtëzakonshëm që më kanë bërë duke më besuar udhëheqjen e këtij vendi, unë jam gati të mbaj pa asnjë ankim baltën e pambarimtë që kundërshtarët e të gjitha llojeve më hedhin çdo ditë padrejtësisht fytyrë e në gjoks prej vitesh, por nuk kam qenë, nuk jam, e nuk do të jem kurrë gati, të mbaj në shpinë bashkë me Partinë Socialiste, askënd që e kujton gabimisht shpinën e madhe të kësaj familjeje politike, kurrizin e një kali që mund ta kalërojë për të shirë për vete, në lëmin e pushtetit të marrë nga populli.
Kur kam thënë se dua një drejtësi që të shohë drejt, pa i ulur sytë as përballë të majtës e as përballë të djathtës, që të ecë drejt, pa marrë anë, që të godasë drejtësisht, pa i matur çështjet me peshoren e politikës, e kam ditur mirë edhe çfarë them, e kam ditur mirë edhe çfarë vjen.
Natyrisht, t’i thuash këto, të përpiqesh me mish e me shpirt që kështu të ndodhë më në fund, në këtë tokë të etur për drejtësi, dhe më tej t’i shohësh të fillojnë të ndodhin kështu, gjërat për të cilat je përpjekur me të gjithë shumicën qeverisëse, nuk është, nuk ka sesi të jetë, e njëjta gjë sepse ndryshe nga çdo reformë tjetër transformuese, e cila në një mënyrë a një tjetër prek interesat e njerëzve, kjo e drejtësisë në veprim prek jetët e tyre dhe cënon edhe lirinë e njerëzve. E kur pastaj ndër këta njerëz, ndodh të jenë edhe persona me të cilët ke punuar deri edhe fare afër, ke ndarë kohë, mendime, sfida të përbashkëta, ditë të mira e të këqija, kjo histori bëhet shumë më e vështirë ta jetosh, se sa ta imagjinosh, ta planifikosh, ta krijosh me votë e ta garantosh me bindje në vazhdimësinë e saj.
Ndryshe nga të tëra historitë e tjera të suksesit të politikës dhe qeverisjes, kjo histori është e vështirë të tregohet si sukses, me statistika e me krenarinë legjitime për rezultatet e arritura, sepse bëhet fjalë për njerëz të ndaluar, hetuar, gjykuar a dënuar, të cilëve ndodh t’u kesh njohur familjarët, përqafuar fëmijët apo prindërit, ngushëlluar vdekje apo uruar ditëlindje. Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve. Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin.
Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret. Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie, por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale, janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë. E prandaj edhe fati i rrugës së përbashkët është një, i përcaktuar nga e përbashkëta e përpjekjeve tona nën dritën e diellit, ndërsa fatet e bashkudhëtarëve në këtë rrugë nuk janë njësoj, për njëqind e një arsye, ama njëra ndër të cilat është niveli i rezistencës ndaj tundimit të pasurimit të paligjshëm, në ndërveprimet e panumërta për shkak të detyrës, larg syve të publikut dhe në kontaktet me gjithfarë njerëzish e interesash, që jeta në politikë apo institucione, t’i sjell në derë.
Afërmendsh nuk është asnjëherë dot e mirë, një ditë kur kjo e vërtetë materializohet, duke marrë fytyrën e bashkudhëtarëve konkretë, sepse ndjesia lënduese, herë e zhgënjimit, herë e disproporcionalitetit e herë e thjesht befasisë është e fortë dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe, por në fund, mbetet gjithnjë fakti se të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe për asnjë rast.
Prandaj po e përsëris edhe njëherë sot për të gjithë familjen tonë politike, atë që e kam thënë me fjalë të tjera disa herë më parë, po e kam stërthënë shumë herë, qysh ditën e parë të hyrjes në këtë godinë, në të gjitha mbledhjet e takimet e të gjitha niveleve të qeverisjes, se kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot as me mua, as me ne, po duhet ta mbajë vetë, qoftë kur del para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, apo qoftë kur i bie të gjendet para derës së drejtësisë.
Ua kam thënë shumë troç dhe po e rithem këtu publikisht para të gjithëve, unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët, po çdo bashkëpunëtor e zgjedh për të mos lëshuar rrugën dhe njerëzit që na kanë zgjedhur të gjithëve ne për t’i udhëhequr në këtë rrugë. Ndërsa të tjerëve, atyre që njihen botërisht si armiq të Reformës në Drejtësi apo si matrapazë publikë të luftës për drejtësi, të cilët janë në një garë të ethshme mesveti për gjak, për baltosjen tonë nga të katër anët apo për vetëngushëllim, teksa era e nënvedit po i mbyt nga frika e drejtësisë, u them se i mëshiroj për ultësinë e qenies së tyre dhe i mirëpres me durimin më të madh gjylet e baltës së tyre. Fatkeqësisht ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi, janë turpi dhe mallkimi i vjetër më shumë se njëshekullor i Shqipërisë, po fatmirësisht nuk habisin po as nuk bindin më askënd, mëkatarë të mëdhenj dhe shpirtra të ndrydhur, me të cilët merret populli shqiptar si askush tjetër nuk merret dot, sa herë që kanë kurajo e dalin të kërkojnë vota prej tij, gjithnjë e më të kërrusur, gjithnjë e më të vrerosur, gjithnjë e më të humbur, nën peshën e boshllëkut të tyre.
Kjo nuk është as dita për t’i thënë dobësitë dhe të metat e punës së organeve të reja të drejtësisë, as për t’i shprehur shqetësimet mbi problematikat e mprehta të veprimtarisë së tyre të re. Kjo është dita për t’u kujtuar të gjithëve edhe njëherë, se gjithë çfarë po ndodh me luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe fakti se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të pushtetshmit po humbasin pushtetin mbi drejtësinë – përtej të tëra rezervave që të gjithë mund të kenë, për arsye të ndryshme, këndvështrime të ndryshme, SPAK-u, Gjykata Speciale – e ka zanafillën pikërisht tek kjo shumicë që qeveris vendin, tek vullneti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, tek këmëngulja e grupeve të saj parlamentare dje dhe sot, tek vendimmarrja jonë, më e guximshmja në historinë politike shqiptare të këtyre tre dekadave, për t’i hyrë detit në këmbë, në kërkim të një drejtësie për Shqipërinë, për shqiptarët dhe me shqiptarët. Të qartë se o i hyjmë ne, o kurrë nuk bëhet. Të bindur se vetëm ne mund t’i hyjmë dhe ta bëjmë.
Të vetëdijshëm se ky det nuk kalohet pa u lagur vetë dhe madje pa rrezikuar edhe mbytjen nga dallgët e larta, nga lodhja, nga humbja e durimit apo nga të papriturat e rrugës. Të ndërgjegjshëm për gjatësinë e stërmundimshme të kësaj rruge, për telashet e pashmangshme me karakteret e dobëta dhe për kohën që fluturon pa mjaftuar kurrë teksa bregu nga ana tjetër është ende larg. Po ama të sigurtë, si drita e diellit që shohim, se kjo përpjekje është më e madhja që mund të bëjmë për Shqipërinë europiane të fëmijëve tanë, të cilët nuk do të jetojnë më në një vend me dy drejtësi, një të fortë për të dobëtit dhe një të dobët për të fortët, prandaj kokën lartë dhe vetëm përpara. Faleminderit!
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–