Kërkesa e SPAK për Ahmetajn, Bardhi: Të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi prezantoi këtë të premte raportin e Partisë Demokratike, mbi kërkesën e Prokurorisë Anti Korrupsion për arrestimin e Deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj.
Në fillim të fjalës së tij, nga foltorja e Kuvendit, Bardhi u shpreh se Kryeministri Edi Rama duhet të sqaroi se ku ndodhet Ahmetaj, ndërsa shtoi se ish zv Kryeministri rrezikon deri në 15 vite burg.
“Unë propozoj që Rama të vijë në seancë dhe të na japë përgjigjen ku ndodhet Ahmetaj. Nëse ai është i shtuar në spital kemi detyrim të shtyjmë seancën. A keni një standard”, tha Bardhi.
“Arben Ahmetaj me akuzat e ngritura nga SPAK rrezikon deri në 15 vite burg. Ai akuzohet për “Korrupsion”, “Fshehje të Pasurisë” dhe “Pastrim të parave”, theksoi Bardhi.
“Partia Demokratike e ka denoncuar këtë aferë duke nisur nga viti 2018, po kryeministri, ministrat deputetë e PS, jo vetëm nuk na dëgjuan, por filluan të na sulmonin, tallnin, të na intimidonin. Dua të falënderoj për këtë kryetaren e komisionit hetimor, Jorida Tabakun. Po ashtu anëtarët e komisionit, Këlliçin, Zhupën, Boçin, Spahon. Secili prej tyre, siç tregon edhe dosja e Prokurorisë i dhanë informacion të bollshëm hetuesve, që të vijmë në këtë kërkesë që njeriu i Ramës, më i besuari, rrezikon jo më pak se 15 vite burg. Pa asnjë dyshim, pjesë e këtij hetimi do duhet të jetë koka e aferës, ai është kryeministri Edi Rama”, shton Bardhi.
“Pa ndihmën e Ramës as Ahmetaj dhe ministrat e kësaj qeverie nuk mund të miratoheshin 17 vendime brenda ditës. Ato projektvendime janë dërguar nga PC i Koldian Zotos në mbledhjen e këshillit të ministrave, janë futur në mbledhje qeverie dhe 17 vendime janë miratuar brenda ditës. Ahmetaj dhe Zoto i’u ka përdorur në tre raste, tre projektligje të hartuara në zyrën e Zotos kanë shkuar në zyrën e Ahmetajt, Ramës dhe më pas ju keni ngritur kartonin për t’i votuar ato ligje. Unë e di që sot me zemër një pjesë janë me këtë krah të seancës plenare”, tha më tej Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike në fund i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama ta dorëzoi para drejtësisë Arben Ahmetajn. Ndërsa ish zv kryeministrit, Bardhi i bëri thirrje që të bashkëpunojë me drejtësinë për të zbardhur plotësisht këtë që Partia Demokratike e cilëson si një aferë korruptive.
Partia Demokratike në raportin e saj kërkon heqjen e imunitetit për Deputetin Socialist, Arben Ahmetaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–