Kishin zënë hapësirat e plazhit publik, sekuestrohen mbi 180 shezlongë dhe çadra në Durrës, procedohen penalisht 2 persona
Në vijim të operacionit “Plazh i lirë”, janë sekuestruar 183 shezlongë dhe çadra që ishin vendosur pa autorizim në plazhin Sektor Rinia në Durrës.
Po ashtu janë proceduar penalisht 2 administratorë subjektesh ekonomike, që kishin zënë hapësirën në plazh, në kundërshtim me ligjin.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazh i lirë”, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut, me qëllim lirimin e hapësirave publike, të zëna në kundërshtim me ligjin.
Si rezultat, u konstatuan 2 raste të tjera të kësaj paligjshmërie, për të cilat u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Pushtimi i tokës”, për 2 administratorë subjektesh ekonomike, konkretisht për shtetasit:
-E. B., 35 vjeç, pasi kishte vendosur 42 shezlongë dhe 21 çadra, pa lejen përkatëse; -F. Gj., 46 vjeç, pasi kishte vendosur 80 shezlongë dhe 40 çadra, pa lejen përkatëse.
Shezlongët dhe çadrat u sekuestruan nga shërbimet e Policisë. Kontrollet dhe verifikimet vijojnë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon sërish, për të gjithë pronarët dhe menaxherët e lokaleve dhe hoteleve, që të mos zënë pa autorizim, hapësirat publike në plazhe, pasi do të përballen me sanksione. Gjithashtu, ftojmë pushuesit që nëse marrin dijeni për një shkelje të tillë, ta denoncojnë atë, në Komisariatin Dixhital ose në numrin pa pagesë 112.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–