Pse lejuam arrestimin e Ahmetajt dhe jo të Tahirit? Rama: Prokuroria atëherë erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit
Kryeministri Edi Rama i ka drejtuar qytetarëve ditën e sotme një mesazh në lidhje me votimin e sotëm në Kuvend për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe hapjen e rrugës për arrestimin e tij.
Rama komentoi rastin duke e krahasuar me atë të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili u gjend të rrethana të ngjashme.
Ai u shpreh se nuk i takon të gjykojë nëse Ahmetaj është fajtor ose jo, por shtoi se këtë herë kërkesa e prokurorisë duhej miratuar sepse këtë herë Kuvendit iu vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore.
Duke krahasuar me rastin “Tahiri”, Rama tha se atëherë Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim.
“Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin”, u shpreh ai.