EKSKLUZIVE/ Tensioni nisi para ndeshjes me BATE-n, zbulohet prapaskena e largimit të Telushit
EKSKLUZIVE/ Tensioni nisi para ndeshjes me BATE-n, zbulohet prapaskena e largimit të Telushit
14 July, 2023
14 July, 2023
Bruno Telushi ndahet për herë të dytë me Partizanin vetëm 25 ditë, pasi kishte rinovuar me një vit kontratën, që i kishte skaduar në fillim të qershorit. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë klubi i kuq në rrjetet sociale, me një njoftim “të ftohtë”, ku tregon ndarjen me bashkëpunim me mesfushorin, ende pa marrë rrogën e parë të kontratës së re.
“Partizani njofton mbylljen e bashkëpunimit me Bruno Telushin. Mesfushori dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre. Falënderojmë Bruno Telushin për kontributin e dhënë në këtë sezon, ku për një pjesë të ndeshjeve mbajti edhe shiritin e kapitenit. Klubi i uron shumë suksese Telushit në vazhdim të karrierës së tij”, shkruan Partizani në një njoftim në rrjetet sociale pas mesditës së djeshme. Por “Panorama Sport” e kishte lajmëruar largimin e Telushit gjatë mëngjesit, teksa tashmë zbardhen e prapaskenat në lidhje me këtë ndarje mes kapitenit dhe klubit kampion, pas vetëm një ndeshjeje zyrtare në këtë sezon të ri.
PRAPASKENAT – “Panorama Sport” ka arritur të mësojë nga burime pranë klubit se “thyerja” mes palëve ka nisur në ditët para ndeshjes me BATE Borisovin në “Air Albania”. Bruno Telushi gjatë skemave të zhvilluara në stërvitje, ka arritur të kuptojë se Zekiç nuk e ka planifikuar në formacion dhe në vend të tij është vendosur Sembene, i cili paraqitjen e fundit si titullar e kishte në fund të vitit 2021. Vlonjatit nuk i ka ardhur aspak mirë dhe ka vendosur që të ketë një bisedë me trajnerin Zekiç, e cila nuk ka shkuar ashtu siç pritej për të dyja palët. Trajneri ia ka shprehur qartë Telushit se nuk e sheh si titullar, të paktën për momentin, ndërkohë që kapiteni është shfaqur kundër dhe ka kërkuar të ketë një pozicion më prestigjioz në skuadër.
Gjatë kësaj periudhe, burime brenda klubit bëjnë me dije se ka pasur njëfarë reagimi “kryeneç” nga ana e vlonjatit, i cili është parë i tensionuar në stërvitje. Duke parë situatën e tensionuar dhe “toksike”, Zekiç ka kërkuar zgjidhje nga ana e klubit. Pas një bisede të konsumuar mes drejtuesve dhe lojtarit, as në këtë rast nuk ka pasur ulje të tensioneve dhe klubi është tërhequr për të marrë vendimin e largimit të kapitenit. Vetë Telushi ka respektuar pa këmbëngulje kërkesën e klubit, si për të thënë se edhe ai dëshiron një zgjidhje të tillë, duke u ndarë me mirëkuptim dhe shkëputur në heshtje kontratën. Deri dje Telushi ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me drejtuesit.
DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL