Tue, Nov 26, 2024

Tre vjet burg të riut për makinën e vjedhur në Francë, avokati: E mashtroi pronari (Detajet e çuditshme në gjyq)

  • PublishedJuly 15, 2023

Një 34-vjeçar është dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Sarandës për “trafikim të mjeteve motorike” pasi 9 muaj më parë u kap në Qafë-Botë me një automjet të vjedhur në Francë. Arjan Hyseni, u arrestua nga policia e Sarandës pasditen e 10 tetorit të një viti më parë. Teksa operatori i policisë kufitare po realizonte regjistrimin e të dhënave të automjetit në fjalë në sistemin TIMS, ky i fundit ka dhënë njoftimin “alert”.

“Në kuadër të verifikimit të njoftimit ‘alert’ të dhënë nga sistemi TIMS, nga komunikimi i mëtejshëm i realizuar në rrugë të komunikimit me postë elektronike me Interpol Tirana, u arrit të administrohej informacioni që bënte fjalë se automjeti tip “Wolsvagen Scirocco” me numër shasie “WVWZZZ13ZCV013612” rezultonte i regjistruar si i vjedhur më datë 10.09.2022 në Francë dhe aktualisht ishte në kërkim ndërkombëtar” thuhet në dosjen hetimore të Prokurorit Ilir Hoxha.

Nga ana e tij, Interpol Tirana saktësoi se “automjeti tip “Volkswagen”, model “Scirocco” me targë “WW 012 MZ”, rezulton i vjedhur në Gaillard, Francë dhe është shpallur i vjedhur nga Interpol Parisi”.

Megjithatë gjatë gjykimit të Arjan Hysenit, disa detaje të çuditshme kanë dalë në dritë. Avokati i tij Brigels Dervishi është shprehur se që në krye të herës, Arjan Hyseni ka bashkëpunuar me organin e akuzës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje duke deklaruar se arsyeja e marrjes së këtij mjeti ka qenë një borxh prej 6-7 mijë frangash që shtetasi Shkëlqim Shameti i kishte pasur për punën që Arjani kishte kryer në kompaninë e tij.

 

“Sipërmarrësi Shkëlqim Shameti u kishte premtuar punë tek kompania e tij pasi ky i fundit merrej me restaurime vilash dhe këta shtetas do të paguheshin për punën e tyre. Gjërat nuk shkuan siç duhet pasi rezultoi se pronari filloi t’i mashtronte me lekët, se ‘do ua jap sot, apo do ia jap nesër’ dhe pikërisht ky është kurthi që ai ra, pasi Shkëlqimi i dha një makinë që më pas rezultoi e vjedhur”, u shpreh Dervishi. Avokati shtoi se shoku i Hysenit, edhe ky i mashtruar ne Zvicër, nuk mori asnjë qindarkë nga Shameti dhe u braktis rrugëve të Zvicrës pa një lek në xhep qoftë dhe për të blerë një copë bukë dhe madje për këtë kishte lënë një deklaratë para avokatit duke treguar me përpikmëri të gjithë mashtrimin që shtetasi Shkëlqim Shameti u kishte bërë.

Gjatë seancës, nga pala u paraqit një foto nga “Facebooku” i Shkëlqim Shametit ku duken targat W 135 LK, me të cilën u kap Hyseni, të cilat në foto Shameti i kishte të vendosura në një mjet tjetër.

Gjithashtu, sikundër rezulton në një dokument tjetër, del në pah një tjetër shtetas Gole Biadess, që dhe tek ky person nga një vështrim në Facebook shihet qartë një foto e tij me makinën që u kap në Shqipëri.

Megjithatë këto fakte nuk e bindën Gjyqtarin Fatmir Ndreu, i cili vendosi të dënojë Arjan Hysenin me 4.5 vite burg për “trafikim i mjeteve motorike” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht me 3 vite burg.

()

AlbaniaWeb.net