Akti i parë i Taulant Ballës si ministër, ndalon njerëzit e kandidatit të PS që kërcënuan gazetaren dhe grupin e xhirimit në Rrogozhinë
Policia e Rrogozhinës ka shoqëruar Arif dhe Agim Memollën, xhaxhallarët e kandidatit të PS Edison Memolla, pasi këta të fundit kanë kanë kërcënuar grupin e xhirimit të SYRI TV.
Ndërsa gazetarja dhe grupi xhirues kanë qenë duke bërë detyrën, këta persona nuk i kanë lejuar të xhirojnë. Pas njoftimit të policisë nga ana e stafit të këtij televizioni, është bërë dhe shoqërimi i të afërmve të Memollës.
Kështu aktin e parë në detyrën e tij të re si Ministër i Brendshëm, Taulant Balla e ka nisur me ndalimin e njerëzve të kandidatit të Partisë Socialiste.
“Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre”, njofton mes të tjerash policia.
Njoftimi i Policisë së Rrogozhinës:
Rreth orës 11:55, Policia e Rrogozhinës ka marrë një telefonatë për ndihmë, nga ekipi i xhirimit të televizionit Syri TV, pasi gjatë kohës që po realizonin një kronikë, në qytetin e Rrogozhinës, pranë një lokali, 2 shtetas i kishin kanosur dhe iu kishin kërkuar që të largoheshin dhe të mos filmonin ambientin privat.
Shërbimet e Policisë, pas marrjes së telefonatës, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë marrë kontakt me pjesëtarët e ekipit të xhirimit dhe i kanë këshilluar për të bërë kallëzim në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, por ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim, por janë marrë dëshmitë e tyre mbi rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë identifikuan dhe shoqëruan menjëherë në Stacionin e Policisë Rrogozhinë, për veprime të mëtejshme procedurale, 2 shtetasit e përfshirë, konkretisht shtetasit A. M., 65 vjeç dhe A. M., 47 vjeç, të dy banues në Rrogozhinë.
Policia e Shtetit e çmon shumë të vlefshme dhe të rëndësishme punën e gazetarëve, si dhe marrëdhënien e tyre me Policinë e Shtetit, prandaj në këtë kuadër i siguron gazetarët se do të kenë gjithmonë mbrojtjen e Policisë, si dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit, ndaj kujtdo që tenton të cenojë apo pengojë gazetarët në përmbushjen e misionit të tyre.