Personalitet, gola dhe shiriti/ Lautaro, “busulla” e Interit
Personalitet, gola dhe shiriti/ Lautaro, “busulla” e Interit
16 July, 2023
16 July, 2023
Lautaro Martinez është një nga liderët e Interit të Simone Inzagit dhe çdo ditë e më shumë duket se skuadra zikaltër rrotullohet rreth tij. Jo rastësisht ishte ai i zgjedhuri për të prezantuar fanellën e sezonit të ardhshëm nën logon e “Paramount+”, një lojtar që pritet të mbajë edhe shiritin pas largimit të Handanoviçit e Brozoviçit.
Pesë vjet nga mbërritja e tij në Milano si një 21-vjeçar premtues i sugjeruar nga Diego Milito dhe më pas nën besimin e Havier Zanetit, “demi” nuk po e ndal ngjitjen e tij drejt majës së hierarkisë zikaltër.
REKORDET – Sezonin e tij të gjashtë me Interin, Lautaro do ta nisë jo vetëm si kapiten i tij, por edhe si golashënuesi më i mirë i skuadrës në kampionat një sezon më parë. Në praninë e tij ky titull i ka shkuar gjithmonë dikujt tjetër, në fillim Mauro Ikardit e Aleksis Sançezit (dy herë) e më pas edhe Perisiçit e Xhekos.
Tashmë stafeta është e Lautaros, që po ngjitet edhe në një tjetër klasifikimin, atë të golashënuesve më të mirë të huaj të Serisë A që ende janë në aktivitet. Argjentinasi është ndalur në 79 gola dhe lamtumira e Ibrahimoviçit ndaj futbollit dhe largimi i Xhekos drejt Turqisë kanë bërë që para tij në këtë renditje të jenë vetëm Paulo Dibala (107) e Luis Muriel (88).
SI ZIKALTËR – Përveç kësaj ka një sërë renditjesh që u përkasin zikaltërve, të cilat Lautaro kërkon t’i ngjisë. Me 102 gola zyrtarë në të gjitha kompeticionet, tashmë kampioni i botës është në vendin e 11- të në mesin e sulmuesve më të mirë të Interit të të gjitha kohërave. Tashmë “top-10” është një hap larg, por detaji që duhet ende të perfeksionojë Lautaro është ndikimi i tij në ndeshjet ndërkombëtare, pas rendimentit që ka treguar në Itali.
Në sezonin e shkuar që lamë pas ishte Xheko golashënuesi i skuadrës me 4 gola, ndërkohë që Lautaro u ndal në 3 të tillë, ashtu si Barela e Lukaku. Kjo tregon se kur niveli rritet, argjentinasi e bën më pak ndryshimin dhe tani ai ka gjithçka për të përfunduar këtë fazë tjetër të pjekurisë.
Që nga dita e parë në Pinetina iu besua numri 10 në shpatulla, duke u projektuar më pas drejt elitës së sulmuesve zikaltër. Tani si kampion bote do të mbajë edhe shiritin e Interit, një kartëvizitë që jo të gjithë e kanë luksin ta kenë.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL