Klubi me shumë dilema për të ardhmen në Superiore vihet në lëvizje, vendoset data e fillimit të përgatitjeve
Klubi i Erzenit është i fundit mes atyre të Superiores që do të nisë përgatitjet për sezonin e ri. Me një të ardhme shumë të paqartë, të diktuar edhe nga statusi i klubit, ka shumë pasiguri rreth të ardhmes të shijakasve të cilët ia dolën që të mbijetonin në elitë falë ndeshjes play-off kundër Korabit.
Ndërsa nuk është zgjidhur ende çështja e trajnerit të ri, as se cilët lojtarë do të qëndrojnë nga grupi i sezonit të kaluar, vetë klubi ka bërë të ditur nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale se ka caktuar datën kur do të nisin përgatitjet e ku me shumë gjasa do të zgjidhen disa nga këto dilema.
Sipas njoftimit të Erzenit, është caktuar data 19 korrik si ajo në të cilën skuadra do të mblidhet për herë të parë në stadiumin “Tofik Jashari”, për t;i dhënë udhë këtij sezoni futbollistik ku pavarësisht problemeve në organizim, shijakasit do të mundohen edhe një herë që të sigurojnë mbijetesën në elitë.