Kontrolle nga Njësia Policore Detare në Shëngjin, bllokohen 8 “Jet Ski” me mungesë dokumentacioni, gjoba pronarëve
Njësia Policore Detare në Shëngjin ka bllokuar 8 “Jet Ski” me mungesë dokumentacioni, teksa u ka vendosur gjoba 100 mijë lekëshe pronarëve.
Në zbatim të masave të përcaktuara në Planin Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për ushtrimin e kontrolleve në të gjithë hapësirën ujore të vendit, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Shëngjin, nisur dhe nga disa raste të denoncimeve nga qytetarët, për shkeljen e perimetrit të sigurisë, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në hapësirën detare nga Shëngjini në Tale, për verifikimin e mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
Në vijën bregdetare dhe hapësirën detare të SPK Shëngjin, u kontrolluan 13 mjete lundruese dhe 8 prej tyre, mjete argëtuese Jet Ski, rezultuan me mungesë dokumentacioni në bord. Për këtë arsye, u bë bllokimi administrativ i 8 mjeteve Jet Ski dhe pronarët e këtyre mjeteve lundruese u ndëshkuan secili me masën administrative 10 000 lekë të rinj.
Policia e Shtetit apelon sërish për të gjithë operatorët ekonomikë që ofrojnë shërbimin e lundrimit, në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, që të pajisen me dokumentacionin përkatës, konform ligjit, të mos cenojnë perimetrin ujor të sigurisë për pushuesit, si dhe të përmbushin kriteret për sigurinë e pasagjerëve, siç është pajisja e pasagjerëve me jelekë shpëtimi.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë çdo indicie për paligjshmëri në këtë fushë.
????Monitorimi i vijës bregdetare dhe i hapësirës ujore në të gjithë vendin, vijon.