Paraqitje pozitive në sezonin e fundit, ish-mesfushori i Shpresave drejt klubit të Serisë B
Mesfushori Erds Kraja po përgatitet për një tjetër etapë të rëndësishme në karrierën e tij. Futbollisti i cili ka luajtur me përfaqësuesen Shpresa në të kaluarën, këtë vit do të ketë mundësinë që të debutojë në Serinë B.
Futbollisti 23-vjeçar, i cili ka dalë nga akademia e Atalantës dhe është ende në pronësi të klubit bergamask, në sezonin e fundit ka luajtur me Peskarën në Serinë C dhe ishte një nga emrat kryesorë të klubit i cili ia doli të shkonte deri në play-off për ngjitjen në Serinë B.
Por me mbylljen e edicionit dhe të huazimit të tij te Peskara, futbollisti tashmë bëhet gati për një tjetër etapë, duke parë se ka kërkesa për të në një kategori më lart, ku mund të tregojë vlerat. Sipas mediave italiane, klubi i Askolit ka bërë një hap vendimtar dhe gjatë javës pritet të zyrtarizojë firmën me futbollistin e talentuar, të cilin e ka përsëri në huazim nga Atalanta.
Kjo e fundit, nuk ka hequr dorë nga kartoni i Krajës, duke vlerësuar se ka potencialin që në të ardhmen të kthehet në radhët e këtij klubi i cili ka ditur ndër vite të vlerësojë lojtarë që shumëkush nuk mendonte se ishin për nivelet më të larta.