Wed, Nov 27, 2024

Peleshi vizitë zyrtare në Britani, pritet nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace

  • PublishedJuly 17, 2023

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Ministri Peleshi u prit në një takim nga Sekretari Shtetit për Mbrojtjen Ben Wallace.

Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka dhënë  për Forcat e Armatosura shqiptare. Nga ana e tij, Sekretari Wallace shprehu gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.

Po ashtu Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u prit nga Ministrja e Shtetit  Baronesha Goldie Dl. Të dy ministrat  nënshkruan Deklaratën e Përbashkët mbi  Rritjen e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e  mbrojtjes, dokument i cili synon përforcimin e bashkëpunimit aktual, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të përballuar sfidat si dhe për t’iu përshtatur risive të reja që sjell koha  dhe mjedisi gjithnjë e më shumë konkurrues dhe kompleks. Si dy vende anëtare të NATO-s, ministrat rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vijuar kontributin në sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe rritjen e angazhimit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe krahut jugor të NATO-s.

Një tjetër takim, ministrit Peleshi iu rezervua nga kreu dhe disa anëtarë të grupit parlamentar shumëpartiak për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimorë. Gjatë këtij takimi Peleshi theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është gjithmonë e më shumë e orientuar drejt fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Ministri u prit në një takim të veçantë nga Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik  për Ballkanin Perëndimorë Sir Stuart Peach, një mik i hershëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi u diskuan çështje me interes për zhvillimin, sigurinë, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë në rajon, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës.

 

AlbaniaWeb.net