Prezantim ëndrrash, Lionel Messi vesh bluzën e Inter Miami: Ju falënderoj për mikpritjen, gjithçka spektakolare
Dita e madhe erdhi, Lionel Messi prezantohet te skuadra Inter Miami, duke nisur kështu kapitullin e tretë pas Barcelonës dhe PSG-së. Koha e keqe që kishte pushtuar Miami dhe që shtyu me një orë ceremoninë zyrtare të prezantimit nuk ka penguar mijëra fansa të zbarkojnë në këtë event të veçantë.
Në ceremoninë e prezantimit të argjentinasit ishte e pranishme edhe bashkëshortja e tij Antonella, që kishte veshur një fustan ngjyrë rozë, ngjyra e skuadrës së Inter Miami. Natyrisht, nuk mund të mungonin edhe tre djemtë e Messit. Kampioni i botës tha edhe fhalët e para:
“Dua të falenderoj të gjithë njerëzit e Miamit për këtë mirëpritje të ngrohtë. Dua t’iu falenderoj për ngrohtësinë e shfaqur, jam shumë i lumtur të jem këtu. Falenderoj pa masë Jose Mas dhe David Beckham për mikpritjen. E kanë bërë gjithçka të duket e lehtë, gjithçka ka qenë spektakolare për mua dha familjen time në këto ditë të para në Miami. Tani dua të fitoj në mënyrë që edhe klubi të rritet më shumë” – u shpreh Messi.
Për çudi, klubi anuloi pa dhënë asnjë shpjegim konferencën e shtypit që ishte planifikuar pas ceremonisë së prezantimit. Në këtë ceremoni, Messi u tregoi fansave fanellën e tij të re me numrin 10, ndërkohë që shoqërohej nga drejtuesit e klubit, përfshi edhe David Beckham, i cili tha:
“Ëndrra bëhet realitet. Kapitulli tjetër i historisë sonë fillon këtu. Dhjetë vjet më parë kur fillova këtë rrugëtim, ëndërroja të sillja lojtarët më të mëdhenj në botë në Miami. Dhe ja, tani kemi më të mirin e botës.”
Messi mund të debutojë këtë të premte, në ndeshjen ndaj ekipit meksikan të Cruz Azul, në Leagues Cup. Gjithsesi, trajneri i ri Tata Martino u shpreh se nuk do të nxitohet në këtë vendim. Tek Inter Miami u prezantua edhe Sergio Busqets, i cili ka luajtur edhe më herët te Barcelona me Messin.
()