Wed, Nov 27, 2024

“Të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh BE”, Rama tregon qëllimin e takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Tiranë: Të kemi një mbështetje ekstra…

  • PublishedJuly 17, 2023

“Paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor”. Kjo është ajo që kryeministri Edi Rama e ka artikuluar sot si kërkesë e rajonit ndaj BE-së pas takimit informal që patën në Tiranë, ku mori pjesë dhe komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelyi.

Rama tha se Shqipëria do të mikpresë samitin e parë të procesit të Berlinit jashtë BE-së në tetor dhe për këtë ne jemi angazhuar shumë seriozisht me kancelarinë në Gjermani, por edhe me aktorë të tjerë në mënyrë që ky samit të ketë një produkt domethënës për Ballkanin Perëndimor dhe të shërbejë për të hedhur një hap të rëndësishëm më tutje në raport me ato që procesi i Berlinit ka në bazën e vetë që janë lehtësimet e vazhdueshme në ndërveprimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, por nga ana tjetër mundësisht edhe për të hedhur një hap të rëndësishëm në raportet tona me BE-në.

“Për këtë të dytën ishim sot këtu në Tiranë me komisionerin Varhelyi, i cili mbulon rajonin dhe ka për detyrë trajtimin e të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me zgjerimin dhe fqinjësinë dhe për këtë diskutuam. Prej disa kohësh ne jemi në një përpjekje si Shqipëri për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave në raport me Ballkanin Perëndimor në aspektin e hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare dhe vendeve tona, sidomos pas goditjeve të pandemisë, krizës energjetike, konflikti në Ukrainë që kanë bërë që BE të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme mbështetjeje për vendet anëtare dhe kjo e ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve anëtare në aspektet e kapaciteteve plus në mundësitë e çdo vendi.
Duke marrë parasysh kontekstin e përgjithshëm dhe të gjitha sfidat që sot janë përbashkëta dhe po aq sa janë të përveçme ne jemi përpjekur të krijojmë një tjetër qasje. Paralelisht me ecurinë e procesit të negociatave të kemi një mbështetje ekstra financiare dhe ekonomike për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është diçka që ka filluar të formësohet dhe një plan i ri mbështetjeje për Ballkanin Perëndimor është duke u përgatitur dhe për këtë ishim me komisionerin për të ndarë opinione”, deklaroi kryeministri.

I pyetu se cilat janë fushat ku do të kërkojë më shumë mbështetje Shqipëria ai tha se nuk mund të flasim akoma për gjëra konkrete sepse ky plan është në diskutim. “Von Der Leyen në Bratislavë dha një sinjal të qartë për objektivat e këtij plani, ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend ose një vend tjetër do të marrë. Ajo që është e rëndësishme, të shikojmë rajonin si një i tërë dhe të punojmë për rajonin si një i tërë sepse kështu na sheh BE.

Sa i përket fushave kjo u diskutua dhe sot. Mbi të gjitha ajo që është më e rëndësishmja është se si ky plan do të integrohet me çfarë ne kemi, si mekanizma ekzistues nga BE”, u shpreh Rama.

AlbaniaWeb.net