Tue, Nov 26, 2024

“Bota në alarm për krizën e bukës”, deputeti i PD thirrje ministrisë së Bujqësisë: Ndërhyni që fermerët shqiptarë të përfitojnë dhe të shesin grurin

  • PublishedJuly 18, 2023

Deputeti i PD, Dashnor Sula, i ka bërë thirrje Ministrisë së Bujqësisë që përmes mekanizmave të ligjshme të ndërhyjë që fermerët shqiptarë të shesin grurin, pas ndërprerjes së marrëveshjes nga Rusia për transportin e drithërave në Detin e Zi.

“Bota në alarm për krizën e bukës, por gruri shqiptar po mbetet pa shitur. E gjithë bota është vendosur në alarm pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja për transportin e sigurt  të drithërave në Detin e Zi. Mos rinovimi i marrëveshjes së Rusisë me OKB për grurin e Ukrainës ka rritur shqetësimin për një krizë të bukës.

Kjo është një gjë e rëndë dhe ajo që kam në dorë për këtë situatë është vetëm të lutem që të ketë një marrëveshje tjetër dhe gruri i prodhuar nga fermerët në Ukrainë të shpërndahet nëpër botë e të shmanget një krizë e tillë”, shprehet ai.

“Por nuk mund të qëndroj pa i tërhequr vëmendjen qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë që përmes mekanizmave të ligjshme të ndërhyjë dhe të përfitojnë sadopak fermerët shqiptarë nga kjo situatë.

Ne nuk mund të pretendojmë që boshllëkun që krijon gruri nga Ukraina ta zëvendësojmë, por kur ka një krizë të tillë, gruri shqiptar nuk mund të shitet me çmim më të ulët se një vit më parë. Sigurisht përballë kësaj situate do duhet të ishte çmimi më në favor të fermerëve shqiptarë.

Prej disa ditësh, fermerët në Myzeqe por edhe në Peqin, Belsh, Gramsh e fshatrat e Elbasanit nuk po dinë ku të çojnë prodhimin e grurit pasi çmimi me të cilin duan tja blejnë tregëtarët është 50% më ulët se një vit më parë.

Kur bota, evropa diskuton për një krizë të bukës, çmimi i grurit në Shqipëri nuk mund të bjerë. Më e pakta mund të qëndrojë në nivelet e një viti më parë ose të rritet.

Të gjendur përballë kësaj situate lind dyshimi për një sjellje monopoliste të tregëtarëve që janë pranë qeverisë dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata mbajnë çmim të ulët në disfavor të fermerëve për të rritur fitimet e tyre. (Pra, këta që përfitojnë edhe ndonjë subvencion që jep me pikatore shteti, bëjnë edhe marrëveshje të fshehta që dëmtojnë fermerin shqiptar.)

Pikërisht për këtë fenomen duhet vigjilencë nga Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Konkurencës që të ndërhyjë dhe të shpëtojë punonjësit e ndershëm duke mos lejuar sjelljet monopoliste të tregtarëve.

Kur bota vuan për bukë, gruri shqiptarë nuk mund të mbes në ara!”, thekson Sula.

AlbaniaWeb.net