Tue, Nov 26, 2024

“Qytetarët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti, protestë para bashkisë së Durrësit”, Partia e Lirisë: Prej 4 muajsh pa bonusin e qirasë

  • PublishedJuly 18, 2023

Anëtarja e kryesisë së Partisë së Lirisë, Anisa Ibraj deklaroi sot se, “ditën e djeshme banorë të pallatit numër 21 të lagjes 7 në Durrës, kanë protestuar para bashkisë”.

“Arsyeja e protestës ka qenë tortura që kanë përjetuar përgjatë këtyre 4 viteve në shtëpi me qira, pavarësisht se pallati ka përfunduar punimet shumë muaj më parë”, tha ajo.

Gjithashtu, shtoi ajo, “këto familje nuk kanë marrë bonusin e qirasë prej 4 muajsh”.

“Grupi i këshilltarëve të Bashkisë Durrës do kërkojë llogari deri në zbardhjen e kësaj problematike në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak, ku fton dhe familjet e dëmtuara nga tërmeti”, u shpreh Ibraj.

“Ne anëtarët e këshillit do të marrim masa dhe do takojmë banorët që nuk janë strehuar ende për të sqaruar shkaqet dhe pengesat që vijnë nga shteti i korruptuar dhe i keqqeverisur, ku oligarkët, objektiv kanë të mbushin xhepat e tyre, e jo t’i shërbejnë popullit, tha ajo.

AlbaniaWeb.net