Shpërdorim detyre dhe korrupsion, Policia e Beratit arreston 2 punonjës të IKMT-së, dyshohet se…
Dy punonjës të IKMT-së Tiranë janë arrestuar pasditen e sotme nga policia e Beratit. Ata janë arrestuar në banesat e tyre në qytetin e Tiranës dhe janë sjellë në ambientet e Komisariatit të Policisë Berat, pas masës së sigurisë “arrest në burg” që është dhënë sot për ta në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat.
Shtetasit E.B. dhe A.D., të dy inspektorë të IKMT-së akuzohen për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”.
Mësohet se këta dy shtetas ishin në hetim penal nga Prokuroria e Beratit që prej vitit 2021 .Nga hetimet e kryera me metoda proaktive, përgjime, vëzhgime etj ka rezultuar se dy punonjësit e IKMT-së shkonin për kontrolle në shumë subjekte të përpunimit të pllakave të gurit dekorativ në Malin e Tomorrit dhe në këmbim të vlerave monetare që merrnin nuk mbanin asnjë akt-konstatimi për shkeljet e evidentuara nga firmat e gurit në Tomorr.