Tue, Nov 26, 2024

Vangjush Dako kërkoi zbutjen e masës së sigurisë, Apeli i GJKKO-së e lë në burg

  • PublishedJuly 18, 2023

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako ndonëse ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë, Apeli i GJKKO-së e ka lënë në burg.

Gazetarja Klodiana Lala bën me dije për se vendimi u dha në seancën e sotme gjyqësore. Kujtojmë se Dako ndodhet në burg, ndërsa akuzohet se në bashkëpunim me ish-zyrtarë të tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar”.

Po kështu sipas SPAK, ish-kryebashkiaku së bashku me drejtorin e firmës së ndërtimit, arkitekten dhe topografët kanë shpërdoruar detyrën, ku citohet se këta të fundit “nuk kanë pasqyruar në dokumentacionin tekniko-ligjor, të objektit të vërtetën në lidhje me kohën kur janë bërë punimet dhe është realizuar ndërtimi, duke bërë që këto akte të jenë të falsifikuara në përmbajtje”.

Për sa i takon tenderit për shëtitoren në Durrës, SPAK thotë se tarifa e studimit dhe vlera e fondit limit, është llogaritur dhjetë herë më e lartë se sa duhet të ishte, sipas kritereve të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

VENDIMI I APELIT TE GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.
– Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim F.E. dhe F.H.
– Miratimin e vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim M.S.(P.), F.F. dhe A.B.

AlbaniaWeb.net